Sport
Fillon gjykimi i Benzemas për “aferën seksuale”

Gjykimi ndaj Karim Benzemat ka filluar sot në Francë, i akuzuar për bashkëpunim në tentativën e shantazhit ndaj ish shokut të skuadrës, Mathieu Valbuena, në një rast i cili është bërë i njohur si “afera seksuale”.
Benzema akuzohet se ka ndihmuar një grup të dyshuar shantazhuesish t’i afrohen Valbuenës në një përpjekje për të zhvatur para në vitin 2015, duke kërcënuar se do të publikojë pamjet seksuale të zbuluara në telefonin e këtij të fundit.
Valbuena, 37 vjeç, u paraqit për fillimin e gjyqit në Versajë, por Benzema nuk ishte.
Gjyqi do të shqyrtojë rolin që Benzema luajti në aferën e errët që filloi kur Valbuena ia besoi telefonin e tij Axel Angot, një njeri i lidhur me qarqet e futbollit në Marsejë, me kërkesën për të transferuar përmbajtjen e tij në një pajisje të re, raporton DW, transmeton Klankosova.tv.
Ndërsa e bënte këtë, Angot zbuloi pamjet në telefon që përfshinin Valbuenën, dhe sipas prokurorëve, vazhdoi të eksploronte mënyra për të shantazhuar Valbuenën me kërcënime për publikim, duke përfshirë afrimin me një nga miqtë e fëmijërisë së Benzemas, Karim Zenati, për të cilin prokurorët thonë se kërkoi ndihmën e Benzemas për të arritur Valbuenan.
Valbuena mori disa telefonata në qershor 2015 duke u paralajmëruar për ekspozimin e mundshëm të pamjes, të cilën ai e raportoi në polici, e cila filloi të hetonte rastin, pjesërisht me anë të vendosjes së një agjenti të fshehtë të koduar si “Luka”.
Në tetor 2015, ndërsa skuadra franceze ishte mbledhur në qendrën e saj stërvitore kombëtare në Clairefontaine, në perëndim të Parisit, Benzema shkoi për të parë Valbuenën në dhomën e tij, duke i thënë shokut të tij të skuadrës se mund ta prezantonte me një “person të besueshëm” për ta ndihmuar “ta menaxhojë” publikimin e mundshëm të një videoje.
“Kini kujdes, këta janë kriminelë shumë, shumë të rëndë”, raportohet t’i ketë thënë Benzema Valbuenas, në atë që ai më vonë do të pretendonte se ishte thjesht një përpjekje për të ndihmuar shokun e tij të skuadrës.
Benzema më pas kontaktoi mikun e tij Zenati dhe i tha në një telefonatë të përgjuar nga policia: “Ai nuk po na merr seriozisht”.
Prokurorët thonë se përdorimi i fjalës “ne” dëshmon se Benzema e pa veten si pjesë e skemës së shantazhit, ndërsa Valbuena tha më vonë se biseda e la atë me ndjenjën se po luhej për një budalla.
Benzema ka argumentuar se polici i fshehtë “Luka” përdori metoda të pandershme për ta tërhequr atë në këtë çështje, gjë që i kushtoi të dy lojtarëve vendin e tyre në skuadrën e Francës për Kampionatin Evropian 2016 dhe Kupën e Botës 2018 në Rusi.
Dënimi maksimal në Francë për bashkëpunim në tentativën e shantazhit është pesë vjet burg dhe një gjobë prej 70,000 eurosh.




















