Connect with us

Lajme

“Duam pistoleta dhe bexha specialë”, agjentët e BKH-së duan të jenë si aktorë Hollivudi

Publikuar

Nga BoldNews.al

I kanë konsideruar si “FBI-ja shqiptare”. Janë trajnuar nga disa lektorë amerikanë për disa javë dhe tashmë janë të bindur se janë me të vërtetë një “kopje perfektë” e Byrosë Federale të Hetimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dhe, ashtu siç mund të kenë parë nëpër filma policeskë të Hollivudit, pjesëtarët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë nisur kërkesat për Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

“Duam pistoleta, duam edhe bexha (mjet identifikues)”, janë dy prej kërkesave kryesore të agjentëve, të cilët tashmë kanë nisur funksionet e tyre pranë Prokurorisë Speciale.

Në fillim të Shtatorit 2021, të paktën 27 kandidatë nisën zyrtarish punës si agjent të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Roli i tyre kryesor është hetimi nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm dhe përgatitja e relacioneve për çdo procedim penal që kanë në ngarkim.

Por, “byroistët” e rinj duket se e kanë kuptuar shumë më ndryshe rolin e tyre.

Ata kërkojnë pistoleta, megjithëse nuk kanë përgatitjen e duhur dhe, për më tepër, as nuk do t’u duhet të bëjnë luftë rrugëve apo në fusha, male e kodra.

Puna e tyre është shqyrtimi i dokumentacionit, ndërsa veprimtaria në terren kundër krimit të organizuar është detyra e strukturave të posaçme policore, ndër të cilat Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA-s.

Pra, kërkesa për t’u pajisur me pistoletë, ndoshta mund të jetë në kërkesë e “byroistëve” për t’u treguar interesant në rrugët e ish-Bllokut.

Në të njëjtën linjë qëndron edhe kërkesa tjetër, për të pasur një bexhë (dokument) të veçantë me logon BKH.

Në vitet e para të pluralizimit në Shqipëri, shumë individë, të cilët u rekrutuan “aksidentalisht” si pjesë e Shërbimi Informativ Kombëtar (SHIK), u kthyen në personazhe groteske, duke e përdorur bexhin e punës edhe si abone për të udhëtuar pa pagesë në autobusët urbanë.

Tashmë që kohët kanë evoluuar, agjentët e BKH-së, me shumë mundësi, e dëshirojnë dokumentin e posaçëm, për ta nxjerrë, ashtu siç veprojnë nëpër filma agjentët e FBI-së.

Ndërkohë, problemi më i madh i kësaj strukture speciale, të pompuar e të super-mbështetur, është fakti që pjesa dërrmuese e oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, nuk janë marrë asnjë herë me hetimin.

Shumë prej tyre nuk dinë se si nis e se si vijon një procedim penal. Gjithësesi, mjaftojnë leksionet që kanë marrë në kursin intensiv, si edhe fakti që quhen “FBI-ja shqiptare”.

Sa për hetimin, kanë të gjithë kohën e nevojshme të mësojnë në “mësimore-en” e SPAK-ut.

NA NDIQ NË FACEBOOK