Lajme
Deputetja Ilire Dauti i replikon kryetarit të Zhelinës

Në vazhdim po ua përcjellim përgjigjen e zonjës Ilire Dauti rreth deklaratave të z.Blerim Sejdiu në emisionin e mbrëmshëm në studio Klan. Pas kësaj, presim që z.Blerim Sejdiu të mbaj fjalën dhe të kërkoj falje për shpifjet publike, ashtu siç edhe vetë ka premtuar.
Të nderuar qytetarë të komunës së Zhelinës,
Të dashur qytetarë, që të mos keni dilema lidhur me çështjen e përmendur unë po i publikoj për ju dokumentacionet që e dëshmojnë këtë shpifje të z. Blerimit siç vijon:
1. Dokumenti i parë është amandamenti me numër arkive, ku nga ana ime është kërkuar 18 500 000 denarë apo 300 000 € për ndërtimin e shkollës.
2. Në dokumentin e dytë janë nënshkrimet që qëndrojnë në anën tjetër të fletës të dokumentit të parë.
3. Me arsyetimin se nuk ka dokumentacion teknik për ndërtimin e shkollës u pajtuam fillimisht të ndahen 3 000 000 denarë për rregullimin e dokumentacionit teknik të shkollës e cila shumë edhe u miratua me shumicë votash në komisionin perkatës që pastaj të miratohet edhe pjesa tjetër e mjeteve.
4. Dëshmi se amandamenti i ndryshuar ka kaluar në vlerë prej 3 000 000 denarë dhe se janë ndarë nga buxheti këto mjete është proces verbali nga zhvillimi i debatit në ditën që u votua amandamenti.
Për të gjitha këto pika të numëruara më sipër ekzistojnë edhe videot e publikuara ku dëshmohet me zë kjo që përshkruhet në dokumentacionet.
Për fund, qytetarë të nderuar, më lejoni t’i drejtohem Kryetarit të komunës së Zhelinës i cili tentoi mbrëmë publikisht të mashtrojë opinionin.
Blerim, deputeti vetëm i siguron mjetet, Ju duhet t’i merrni dhe t’i shfrytëzoni për qëllime saktë të percaktuara.
Blerim, mos tento të zëvendësosh objektin e shkollës dinjitoze që meritojnë nxënësit me objekt modular ( edhe këtë e kemi të dokumentuar, me siguri e keni edhe ju).
Blerim, kujdes me mjetet e ndara me kërkesën time nëpërmjet amandamentit edhe për furnizimin me ujë të pijshëm në vlerë prej 5 000 000 denarë, apo 80 000 euro për fshatin Strimnicë, sepse edhe atë e kam me dëshmi me dokumente dhe video.
Blerim, mos harro se mandatin e fitove edhe me mbështetjen tonë. Por, sot sjellja jote jo korrekte ndaj qytetarëve dëshmon se ti aspak nuk meriton edhe një mandat. Mungesa e korrektësisë bën që qytetarët të humbin besimin te ti.
Edhe një gjë, falje për shpifjen publike tani duhet t’ju kërkosh qytetarëve, sepse edhe unë sqarimin e dhash për qytetaret ndaj të cilëve ndjeva obligim.
Perndryshe, qytetarë të nderuar, unë Ilire Dauti, deputete në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me mandat të dhënë nga vullneti i lirë i juaji, me qëllim të komunikimit me qytetarët e zonës, kam kërkuar nga Komuna e Zhelinës zyrë deputeti që me takon me ligj dhe z. Blerim Sejdiu e ka refuzuar këtë kërkesë e me këtë pamundësoi edhe punësimin e një të riu në atë zyrë. Poashtu edhe këtë dëshmi e kam të dokumentuar, Blerim!

















