Lajme
Vullnet Murseli pezullon të gjitha aktivitetet politike: Resurset njerëzore i ofroj në ndihmë të familjeve të viktimave

Kandidati i ASH-së për komunën e Tetovës, Vullnet Murseli ka reaguar për ngjarjen që ndodhi mbrëmë në spitalin modularë të Tetovës.
Përmes një shkrimi në faqen zyrtare në facebook, Murseli thotë se i ka pezulluar të gjitha aktivitetet parazgjedhore përkohësisht dhe njofton se të gjitha resurset njerëzorë i ofron në ndihmë të familjarëve të viktimave, raporton infomagazin.net
“Tragjedia e rëndë që shkaktoi vdekjen e shumë bashkëqytetarëve tanë mbrëmjen e kaluar në Tetovë, na ka tronditur pa masë. Unë, si kandidat për Kryetar të Komunës së Tetovës, ju informoj se i pezulloj përkohësisht të gjitha aktivitetet parazgjedhore, dhe të gjitha resurset njerëzore po i ofroj në ndihmë të familjeve të viktimave të zjarrit në spitalin modular. Lutjet dhe mendimet e mia, të familjes sime dhe të gjithë stafit tim janë me familijet e viktimave të zjarrit të 8 Shtatorit në spitalin modular të Tetovës. Ndajmë dhimbjen me ju, dhe duam të jemi afër jush me çfarëdo ndihme që mund të ofrojmë, për të lehtësuar sadopak dhimbjen dhe vuajtjet tuaja”, ka shkruar Vullnet Murseli, kandidat i ASH-së për kryetar të Tetovës.




















