Lajme
Skandali “Thumanë-Kashar”, Balluku dështon në Gjykatë, “Gener 2” rifiton “rrugën e florinjtë”

Nga BoldNews.al
Qytetarët shqiptarë do të duhet të paguajnë rreth 450 milionë euro për ndërtimin me koncension të aksit rrugor “Thumanë-Kashar”, pasi Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, dështoi para gjykatës të mbronte vendimin e saj për anulimin e kontratës së fituar më herët nga kompania “Gener 2” e Bashkim Ulaj.
Një ndër vendimet e para të ndërmarra nga Balluku kur mori detyrën e Ministres së Infrastrukturës në janar 2019 ishte anulimi i koncensionit më të madh në vend, që parashikonte ndërtimin e afro 21 kilometrave autostradë për një kosto që mund të shkonte deri në 54 miliardë lekë.
Por, tashmë që pritet të marrë mandatin e rikonfirmimit në detyrë, një prej akteve të saj të para është dërgimi në Këshillin e Ministrave të kërkesës për miratimin e kontratën koncensionare me kompaninë në pronësi të Bashkim Ulaj.
Gjykata Administrative e Apelit, në një vendim të dhënë në 29 Korrik 2021, pranoi kërkesën e kompanisë që kërkonte shfuqizimin e anulimit të koncensionit.
Trupa gjykuese e Apelit shfuqizoi një vendim të gjykatës administrative të shkallës së parë dhe vendosi detyrimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të përcjellë në mbledhjen e qeverisë kontratën për miratim.

Në foto: Dispozitivi i vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit
Anulimi i nxituar
Kompania “Gener 2” fitoi koncesionin në vitin 2018, pasi mori paraprakisht një bonus nga qeveria “Rama” për “propozim të pakërkuar”.
Sipas dokumenteve të tenderit të organizuar nga Ministria e Infrastrukturës, e cila në atë kohë drejtohej nga Damian Gjiknuri,, kosto e ndërtimit ishte përllogaritur në 226 milionë euro.
Por, një raport i Ministrisë së Financave për këtë projekt, i dërguar në Parlament, parashikonte që kostot e ndërtimit të aksit “Thumanë-Kashar” ishin në total 54.4 miliardë lekë të reja, ose rreth 435 milionë euro.
Në tender morën pjesë 4 operatorë ekonomikë, dhe fituese u shpall “Gener 2”, e cila ishte më e favorizuar për shkak të “propozimit të pakërkuar”.
Pas përfundimit të tenderit, qeveria dhe Gener 2 hynë në një fazë negociatash, të cilat duhej të përfundonin me nënshkrimin e kontratës finale.
Por, negociatat nuk arritën të mbylleshin. Qeveria vendosi të tërhiqej nga komunikimi me “Gener 2”, sidomos pas shpërthimit të skandalit me kompaninë fantazëm “DH-Albania”, e cila fitoi tenderin për ndërtimin e Unazës së Re në Tiranë.
Të dhëna të publikuara në media ngritën dyshime se pas “DH-Albania” qëndronte pikërisht kompania “Gener 2” e Bashkim Ulaj.
Në një klimë të nxehtë politike pas skandalit me “DH-Albania”, Belinda Balluku mori vendim të shpejtë për të anuluar edhe koncensionin “Thumanë-Kashar” të fituar nga Bashkim Ulaj dhe kompania e tij.

Në foto: Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke njoftuar anulimin e koncensionit të rrugës “Thumanë-Kashar” në 21 janar 2019
Por, ky veprim i nxituar dhe i pa-llogaritur si duhet, i ndërmarrë nga Balluku, duket se i dha të gjitha mundësitë kompanisë private që të fitonte në gjykatë.
Përballja gjyqësore
“Gener 2” iu drejtua Gjykatës Administrative të Tiranës për të shfuqizuar vendimin e Ballukut për anulimit të koncensionit të ndërtimit të rrugës “Thumanë-Kashar”.
Në Dhjetor 2019, trupa e shkallës së parë rrëzoi pretendimet e kompanisë private, ndërkohë që ajo iu drejtuar Apelit Administrativ.
Një muaj më pas, në Janar 2020, Ministria e Infrastrukturës rihap tenderin për ndërtimin e rrugës “Thumanë-Kashar” me kosto më të reduktuara.
Por, “Gener 2” iu drejtua sërish Gjykatës Administrative, ku kërkonte pezullimin e procedurës së re, për shkak se koncensioni i mëparshëm ende ishte në shqyrtim gjyqësor në Apel.
Në dhjetor 2020, Ministria e Infrastrukturës anulon edhe procedurën e re, ndërkohë që Gjykata Administrative e Apelit vijonte shqyrtimin e padisë së parë.
Në fund të Korrikut të këtij viti, trupa e Apelit Administrativ i jep të drejtë kompanisë private, duke detyruar Ballukun që të dërgojnë në Këshillin e Ministrave për miratim kontratën koncensionare me “Gener 2” për ndërtimin e “Thumanë-Kashar”.
Argumentat ende nuk janë zbardhur, megjithatë në faqen zyrtare të internetit të Gjykatës Administrative të Apelit është publikuar dispozitivi i vendimit të marrë në 29 Korrik 2021.
Pasojat, ku do të gjenden paratë
Ky vendim i Gjykatës e vendos para vështirësive të mëdha qeverinë, e cila nuk duket se i ka më paratë për “rrugën e florinjtë”.
Kur u anulua koncensioni, në Janar 2019, si Balluku, ashtu edhe Edi Rama deklaruan se pjesë nga fondi për këtë rrugë do të përdoreshin për “Paktin për Universitetin”, një masë që u deklarua nga kryeministri pas protestave masive të studentëve, në fund të vitit 2018.
Në rast se një pjesë e parave të parashikuara për “Thumanë-Kashar” janë përdorur për përmirësimin e infrastrukturës studentore, siç u shpreh Rama në atë kohë, atëhëre është zvogëluar fondi për ndërtimin e ‘rrugës së florinjtë”.

Në foto: Projekti për ndërtimin me koncension të aksit rrugor “Thumanë-Kashar”, 21 kilometra, me kosto totale 435 milionë euro
Nga ana tjetër, në procedurën e dytë të rihapur për këtë aks rrugor, në Janar 2020, qeveria e pranoi se kostot e koncensionit ishin shumë të fryra dhe vendosi të ulte deri në 75 përqind fondet, duke vendosur në dispozicion rreth 160 milionë euro nga 450 milionë euro që u parashikuan për koncensionin.
Tashmë, për shkak të nxitimit dhe llogarive të gabuara ligjore të Ballukut, qeveria do të duhet të paguajë kostot në vlerë 450 milionë euro, të cilat, edhe për vetë kabinetin “Rama”, janë tejet të fryra.
Lajme të Ngjashme




















