Sport
Sir Alex përgëzon Mourinhon për ndeshjen e tij të 1000-të si trajner

Sir Alex Ferguson uroi Jose Mourinhon, pasi shefi i Romës u bë anëtari i fundit i një grupi elitar trajnerësh.
Mourinho, 58 vjeç, do të marrë drejtimin e lojës së tij të 1000-të, kur Roma luan me Sassuolon, të dielën.
Legjenda e Manchester United, Ferguson, e përshëndeti Mourinhon pasi ai u anëtarësua në klubin “Hall of Fame 1000”, të Shoqatës së Menaxherëve.
“Arritja e 1000 ndeshjeve si menaxher do të jetë një ditë kaq krenare për Josen dhe familjen e tij, dhe kjo me të drejtë”, tha skocezi.
“Të arrish këtë pikë të rëndësishme si menaxher është një arritje e jashtëzakonshme për Josen, veçanërisht duke shkëlqyer dhe fituar tituj në katër liga evropiane dhe natyrisht duke fituar dy trofe të Ligës së Kampionëve gjatë rrugës”, shkroi legjenda e United.
Mourinho doli në skenë me Porton, duke fituar pesë çmime të mëdha në dy sezone para se të merrte drejtimin e Chelseat më 2004.
Ai i udhëhoqi Blutë drejt titujve të Ligës Premier, Kupës FA dhe Kupën e Ligës, shkruan Mirror, transmeton Klankosova.tv.
Mourinho vazhdoi të fitojë katër trofe me Interin, duke përfshirë tripletën kontinentale më 2010.
CV-ja e tij vezulluese përfshin dy triumfe të Ligës së Kampionëve dhe tituj vendas në Portugali, Angli, Itali dhe Spanjë, andaj konsiderohet si një nga trajnerët më të mirë të të gjitha kohërave.




















