Connect with us

Religjion

Shfrytëzojeni jetën tuaj në bindje ndaj All-llahut

Published

on

Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë edhe mbi dëshmorët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër!

Sot, me lejen dhe ndihmën e Allahut, do të flasim në temën: Shfrytëzojeni jetën tuaj në bindje ndaj All-llahut.

Kjo botë – dynjaja është një terren trajnimi ku ne kemi mundësi që të bëjmë mirë ose keq, kurse bota tjetër – ahireti është një vend ku për veprën e bërë në këtë botë, do të merret shpërblimi ose ndëshkimi.

Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Allahut i përkasin të gjitha (çka ka) në qiej dhe në Tokë – e, sipas asaj që kanë punuar, për t’i dënuar ata që bëjnë keq, e për t’i shpërblyer ata që bëjnë mirë me shpërblim shumë të mirë, të madh.” (en-Nexhm, 31)

Allahu i Lartësuar neve njerëzve na ka nënshtruar shumë nga krijesat e Tij, vetëm që t’i përdorim në bindje ndaj Tij: “A nuk shihni, se si Allahu u ka mundësuar – t’i shfrytëzoni të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë dhe ju ka plotësuar dhuntitë e Tij – të jashtme dhe të brendshme?” (Lukman, 20)

Gjithashtu ka thënë: Allahu është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën; Ai zbret ujin nga qielli e me të jep frutet për t’u ushqyer ju; dhe u jep juve që të shfrytëzoni anijet për të lundruar me to nëpër dete, me autorizimin e Tij, dhe u jep që të shfrytëzoni lumenjt; -dhe ju jep që të shfrytëzoni Diellin dhe Hënën, që lëvizin vazhdimisht, dhe ju jep që të shfrytëzoni natën dhe ditën; – dhe ju jep nga të gjitha ato që keni kërkuar nga Ai (sipas nevojave tuaja), e nëse doni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, atëherë nuk do të mund t’i numëroni. – Njeriu, me të vërtetë, është zullumqarë dhe jomirënjohës.” (Ibrahim, 32-34)

Pra, kjo botë është një fushë ku ne mbjellim, kurse në ahiret vjen korrja. Kush niset në rrugën e Udhëzimit, ai edhe në këtë botë do të ketë jetë të bukur, kurse në botën tjetër, do t’i korrë frytet më të bukura të asaj që ka mbjellë në këtë botë. Është i lumtur ai që e përdor jetën e tij në bindje ndaj Krijuesit. Këtu, para të tjerëve bëjnë pjesë ata që e ndjekin Pejgamberin (savs), i cili ka thënë “Fjalimi më i bukur është fjala e Allahut të Madhërishëm, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (savs), gjërat më të këqija janë bidatet në fe, dhe çdo bidat është mashtrim.” (Muslimi)

Për ta ndjekur krijesën më të mirë, ne duhet ta njohim jetën e tij dhe sunetin e tij, kështu që, ne duhet t’i studiojmë ato. Disa sahabë kanë thënë: “Ne ua mësuam fëmijëve tanë biografinë e Muhamedit (savs), ashtu siç u mësuam Kuranin.” Kush dëshiron të bëjë një analizë individuale të jetës së tij dhe ta kontrollojë shkallën në të cilën ai e ndjek Muhamedin (savs), le të mendojë pak për sinqeritetin e tij dhe ibadetet që i bën, për përpjekjet e tij që ta ndihmojë fenë e Allahut, për këmbënguljen në Rrugën e Drejtë … dhe të gjitha këto le t’i krahasojë me jetën e Pejgamberit (savs), kështu që ai vetë do ta kuptojë përgjigjen.

Qëndrimi ynë në këtë botë është i kufizuar, prandaj, le të kujdesemi dhe ruhemi mirë nga përtacia dhe neglizhenca, nga inercia dhe mosinteresimi, kur bëhet fjalë për vepra të mira dhe dituri të dobishme. Lirisht mund të themi se sot, për shkak të ekspanzionit të teknologjisë moderne dhe qasjes shumë të thjeshtë në internet, është i rrezikuar imani i të gjitha kategorive të moshës së umetit, megjithatë, më e rrezikuara është rinia. Ata e kalojnë në gjëra të kota një pjesë të madhe të kohës së lirë, e madje jo rrallë, edhe në përmbajtje rreptësisht të ndaluara në Islam, e zëvendësojnë natën me ditën, bëhen dembelë dhe joaktivë, gjë që nga ana tjetër shkakton obezitet, stres, nota të dobëta në shkollë dhe prishje të marrëdhënieve familjare.

Prandaj, është detyrimi ynë që së pari ta paralajmërojmë veten, e pastaj edhe të rinjtë për dëmin e një mënyre të tillë jetese, sepse askush nuk e di se në cilin moment do ta jep shpirtin e tij dhe do të shkojë për të dhënë llogari para Krijuesit. Vërtetë janë të shkatërruar ata që, përkundër jetës së tyre të gjatë dhe begative të shumta që po shijojnë në këtë botë, para Allahut të shkojnë duarbosh, do të thotë, me pak vepra të mira dhe me shumë vepra të këqija. Kurse janë të lumtur janë ata që jetën e tyre e shfrytëzojnë në bindje ndaj Krijuesit.

Së fundi, le ta kujtojmë se sa e pavlerë në esencë është kjo botë dhe sa i vlefshëm është përfundimi i bukur në ahiret. Pejgamberi (savs), duke e përshkruar vlerën e xhenetit dhe tmerret e xhehenemit, ka thënë: “Në Ditën e Gjykimit, do të sillet një njeri i xhehenemit (ai që do të përfundojë në xhehenem pas gjykimit),   i cili i ka gëzuar të gjitha llojet e të mirave në dynja, që vetëm për një moment do të futet në xhehenem, pastaj do të nxirret jashtë, dhe pas kësaj Allahu i Madhëruar do ta pyesë: O robi Im, a ke ndjerë ndonjëherë ndonjë të mirë në dynja?” Dhe ai do të përgjigjet: “O Zoti im, unë kurrë nuk kam ndjerë ndonjë të mirë në jetën time!” Pastaj do të sillet një njeri i xhenetit (ai që do të përfundojë në xhenet pas gjykimit), i cili ka vuajtur shumë në dynja, që vetëm për një moment do të futet në xhenet, pastaj do të nxirret jashtë, dhe pas kësaj Allahu i Madhëruar do ta pyesë: O robi Im, a ke ndjerë ndonjëherë ndonjë të keqe në dynja? Dhe ai do të përgjigjet: “O Zoti im, unë kurrë nuk kam ndjerë ndonjë të keqe në jetën time!”(Muslimi)

Prandaj, vëllezër të dashur, le të jemi të durueshëm në emër të Allahut ndaj të gjitha sprovave të kësaj bote dhe ta shfrytëzojmë jetën tonë për të bërë vepra të mira. Nëse veprojmë ndryshe, me siguri do të pendohemi, por atëherë pendimi nuk do të na ndihmojë.

E lus Allahun e Madhërishëm, që të na forcojë në rrugën e Islamit!
O Allah, na ndihmo që ta ruajmë dritën e Islamit!
O Allah, mos na sprovo me dhunën e sundimtarëve zullumqarë!
O Allah, mos na sprovo me atë që nuk mund ta përballojmë!
O Allah, na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe të na vendosë në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me dëshmorë dhe me njerëz të mirë. Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress.ch)

Click Here To Join Native Media
Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com