Lajme
S’di pse Kiçeec ka udhëtuar me ata persona! VMRO-DPMNE akuzon se pushteti po i liron të burgosurit

Kryeministri, Zoran Zaev ka biseduar me Drejtorin e Drejtorisë për zbatimin e sanksioneve, Marjan Spasovski në lidhje me atë se pse Kiçeec është në liri. Spasovski i ka thënë që Kiçeec ka pasur dokumentacion të plotë mjekësor për probleme me zemrën, për çka i janë dhënë 30 ditë për mjekim. Por Kiçeec edhe përkundër asaj që pohohet se është në gjendje jo të favorshme shëndetësore, ka vozitur veturën Mercedes, ndërsa me të kanë qenë edhe me dy shtetas serb.
“Unë nuk e di se pse ka udhëtuar drejt Shkupit dhe pse me ata njerëz, duhet të pyesni, për shkak se nëse dokumentacioni është mjekësor, mund të shkojë deri te spitali, mund të shkojë në kryeqytetin për arsye të ndryshme, megjithatë kjo është sipas ligjit, kjo e drejtë i takon çdo të burgosurit. Kanë të drejtë për pushim vjetor, për fundjavë, për mjekim dhe me ndërprerje të caktuar të dënimit, të gjitha këto janë lejuar me ligjet e vendit tonë”, deklaroi Zaev.
Ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq, shtoi se ky vendim ka marrë miratimin edhe nga Drejtori i Drejtorisë për zbatimin e sanksioneve dhe se ky nuk është rasti i parë i tillë.
“Kjo nuk është hera e parë e as e fundit që një i burgosur t’i shfrytëzojë këto të drejtat në bazë të dokumentacionit mjekësor dhe kjo është sipas ligjit me leje që e ka marrë paraprakisht nga drejtori i burgut ku e vuan dënimin edhe nga drejtori i Drejtorisë për zbatimin e sanksioneve”, tha Mariçiq.
Nga Drejtoria për zbatimin e sanksioneve përmes kumtesës informojnë se kërkesa për ndërprerjen e vuajtjes së dënimit ka qenë e mbështetur edhe me kontrolle të kryera specialistike në Spitalin e Ohrit. Ndërprerja e vuajtjes së dënimit i skadon të enjten.
“Në raportin special thuhet se pacienti është paraqitur për kontroll mjekësor për shkak të ritmit të shpejtuar të zemrës dhe dhimbje në gjoks. Diagnozë për të cilën mjeku specialist ka shkruar se është e nevojshme të vazhdojnë analizat mjekësore për takikardi supraventikulare me ehokardiografi, kolor dopler, sonografi dhe arteri karotide, ndërsa i është përshkruar edhe terapi adekuate me medikamente”, njoftuan nga DZS.
Nga opozitarja VMRO-DPMNE, akuzojnë se Kiçeec ka qenë në liri me “aminin” e Zaevit.
“Pushteti i Zaevit lejon që persona të dënuar për krim, në vend që të jenë në burg, të shëtisin nëpër Maqedoni. Rasti i fundit me të akuzuarit për Reket i cili në vend që ta vuajë dënimin e tij, ai ka mare pjesë në aksident trafiku me pasoja fatale, vetëm tregon se në Maqedoni me Zaevin nuk ka drejtësi. Nuk është vetëm ai, dhjetëra të tjerë të burgosur janë në liri. Zaev jep urdhra, ndërsa gjykata i liron”, akuzuan nga VMRO-DPMNE.
Kiçeec të shtunën përderisa ka vozitur veturën Mercedes, ka marrë pjesë në aksident trafiku ku ka humbur jetë një person ndërsa 9 u lënduan. Ai është në vuajtje të dënimit me burg prej 3 vjetëve për rastin Reket ku janë të dënuar edhe Katica Janeva dhe Boki 13.
















