Lajme
PPTH-ja i heton spitalet modulare! Zaev thotë se nuk ka informacione nëse janë lëshuar pa pranim teknik

A ka lëshime gjatë lëshimit në përdorim të spitaleve modulare, përkatësisht nëse janë lëshuar pa pranim teknik? Jozyrtarisht pohohet se spitali modular në Tetovë, por edhe në Veles, nuk kishin pranim teknik gjatë lëshimit në përdorim. Prokurorja Villma Ruskoska menjëherë pas shpërthimit të zjarrit tragjik e kërkoi dokumentacionin e plotë për blerjen e spitaleve modulare dhe ky është hetim i ndarë nga hetimi i prokurorëve për shkaqet e zjarrit. Prokuroria kërkon informacione edhe nga personi përgjegjës për ndërtimin e spitaleve dhe është kërkuar informacion nëse është bërë pranim teknik dhe kush e ka bërë të njëjtin. Kërkuam përgjigje nga Prokuroria nëse është hapur rast i tillë dhe deri ku është hetimi.
“Veprimet që për momentin i ndërmerr Prokuroria publike themelore për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsion, janë pjesë e procedurës parahetimore dhe janë me qëllim që të hetohet nëse ka bazë për dyshim për vepër të kryer penale. Në bazë të rezultateve që do të dalin nga hetimi, prokurori publik do të marrë vendim për zhvillimin e mëtutjeshëm të procedurës, përkatësisht nëse do të sjellë urdhër për zbatimin e procedurës hetimore ose do ta mbyllë procedurën parahetimore, për çka do ta njoftojmë opinion publik”, thonë nga PPTH.
Kryeministri Zoran Zaev thotë se nuk ka pasur informacione në lidhje me ndërtimin e spitaleve modulare.
“Pranim- dorëzimi është përshkruar në mënyrë të qartë me ligj për objektet e këtilla, nuk do të hyja në detaje, jam i sigurt se institucionet do t’jua japin të gjitha informacionet për shkak se të gjithë projektin e udhëhiqte dhe e udhëheq Banka botërore, kanë marrë pjesë në të Ministria për punë dhe politikë sociale, Ministria e shëndetësisë dhe është zbatuar ashtu siç është paraparë sipas të gjitha rregullave. Të gjitha aspektet duhet t’i tregojë hetimi, realizuesi, mbikëqyrja…unë nuk kam informacione”, deklaroi kryeministri Zaev.
Ndërsa për zbatimin e projektit për spitalet modulare ishte angazhuar kompania Brako e cila është në pronësi të ish zv/kryeministrit për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
















