Connect with us

Religjion

Përsiatje rreth rëndësisë dhe rolit të hutbes në Islam

Published

on

Hutben e mbanë imami, hatibi respektivisht e mbanë personi i kualifikuar me arsimim fetar islam, të cilin e autorizon institucioni fetar i vendit (Bashkësia Islame), për t’i dhënë hatibit legjitimitetin institucional dhe juridik (el-murasele).

Hutbja mbahet çdo të premte, në të njëjtën kohë, që paraqet kontinuitet, rregullshmëri dhe dinamizëm në vijën komunikuese ndërmjet institucionit, hatibit dhe masës besimtare.
Institucioni i hutbes lindi në kohën e Muhammedit a.s. kurse vetë ai ishte hatibi i parë. Atëherë e sot, hutbja mbeti mënyra komunikuese më e qëndrueshme përkundër mënyrave dhe metodave dhe mjeteve të ndryshme të predikimit musliman.

Mirëpo, rëndësi për hutben ka edhe përmbajtja e hutbes, përzgjedhja e temës, mënyra dhe forma e prezantimit të temës së hutbes tek recipientët dhe faktorë të tjerë.
Është me rëndësi jo më të vogël që në përcaktimin e përmbajtjes së hutbes të kihen parasysh edhe disa faktorë në shikim të parë dytësorë:
– Heterogjeniteti i xhematit. Aty marrin pjesë njerëzit e moshave dhe të strukturës së ndryshme arsimore, ekonomike, politike dhe sociale;
– Në xhematet e qytetit zakonisht niveli arsimues është më i lartë; ka më shumë intelektualë, studentë dhe nxënës dhe niveli i përgatitjes dhe i interpretimit duhet të jetë konform masës besimtare;
– Dëgjuesit bashkëkohorë në xhami posedojnë njohuri elementare islame nëpërmjet librit, gazetës, revistës dhe kohëve të fundit nëpërmjet radio-televizionit dhe internetit dhe ky faktor duhet të jetë para vëmendjes së hatibit;
– Përmbajtja e temës duhet të jetë koherente me kohën dhe me strukturën e dëgjuesve; ajo duhet të ketë para së gjithash karakter dhe ton fetar dhe brenda përcaktimit fetar, pa hamendje dhe konfuzion ideor, duke mos e shpërfillur edhe nivelin arsimor dhe të thirrjes së tyre.
Hatibët gjatë mbajtjes së hutbes duhet t’i kushtojnë rëndësi edhe mënyrës dhe formës së komunikimit, duhet të aftësohen në vendosjen, mbajtjen dhe zhvillimin intenziv të komunikimit me xhematin e tyre Shkenca e komunikologjisë bashkëkohore është zhvilluar hollësisht, ndaj për hatibët ka rëndësi absorbimi dhe përvetësimi i të gjitha metodave të nevojshme për oratorinë e hatibit dhe të hutbes. Shpërfillja e këtyre faktorëve mund ta dëmtojë përmbajtjen dhe prezantimin e mirë të hutbes.
Në anën tjetër, për masën dëgjuese është me rëndësi ta kuptojnë se hatibët janë kryesisht tre llojesh:
1. Hatibët që e kanë përgatitur hutben, e lexojnë atë, por për ta thuhet se janë të bezdisshëm e monoton;
2. Hatibët që e flasin atë që e kanë shkruar por edhe edhe e kanë mësuar përmendsh temën. Për këta thuhet se janë mashtrues dhe artistë të xhematit;
3. Hatibët që paraqiten në minber pa përgatitje paraprake. Këta improvizojnë dhe për të tillët thonë besimtarët se janë më të suksesshmit, pa marrë parasysh se në hutbet e tyre paraqiten jorregullësi, gabime dhe pasaktësi materiale dhe doktrinare.
Preferohet që hatibi bashkëkohor të posedojë të tre këto tipare të sipërme, të cilat do t’i parafrazonim kështu: hatibi duhet të përgatitet, ta shkruaj hutben paraprakisht, që porosia e tij të jetë aktuale, e dobishme, e gjallë, me fjalor të kapshëm për masat dhe pa improvizime të thata e bajate. Hatibi duhet të lirohet nga interpretimi i thatë i hutbes, të jetë origjinal dhe i pavarur; i mëvetshëm dhe i argumentuar, pa përzierje mendimesh dhe shkollash etj etj.
Hatibi po ashtu, duhet t’i ketë parasysh edhe disa kërkesa shtesë të dëgjuesve, të cilat nuk janë të shkruara por që kuptohen dhe shtrohen nga secili dëgjues: Kush je dhe ç’dëshiron të fletë; Kujt dëshiron t’i drejtohesh; Sa është kohëzgjatja e bisedës; Ç’synon me hutben?
Duke i pasur parasysh të gjithë faktorët, hatibi porosinë e hutbes së tij do ta trajtësojë varësisht stukturës së dëgjuesve. Hatibi duhet t’i ketë parasysh rrethanat e kohës dhe t’i përfillë nevojat shpirtërore të dëgjuesve por dhe aftësinë kritike të gjykimit. Hatibi për ta thyer monotoninë e monologut të hutbes, disi, duhet ta zhvillojë hutben e tij edhe në pyetje-përgjigje, por edhe të ndalojë pas namazit të xhumasë dhe të bisedojë me të interesuarit për plotësimet apo për paqartësitë e caktuara.
Nuk është tepër të theksohet rasti vijues:
Kur delegacioni i Ta’ifit po bëhej gati të kthehej, Muhammedi i dha këtij guvernatori të ri udhëzimet që vijojnë: “Të jesh zemërgjerë në ceremonitë fetare publike dhe merre parasysh si kriter ne¬vo¬jën e më të dobëtit në mesin e të pranishmëve, siç janë pleqtë, fëmijët, të do¬bë¬tit (të sëmurët) dhe ata të cilët janë për ngut për shkak të punëve që i kanë.” (Ibn Hisham, f. 917, sipas: Muhammed Hamidullah, Muhammedi a.s.,I, Jeta dhe vepra, fq. 368.)
Nga ky kontakt, hatibi e sheh shkallën intelektuale të dëgjuesve, e sheh interesin e tyre por edhe vërejtjet eventuale (gjestikulacionet, shprehjet më të shpeshta, emocionet e pa/frenuara etj.
Për sukses të hutbes, hatibi duhet të komunikojë me shpesh me dëgjuesit, duhet t’i njoh burimet për përgatitjen e hutbes (literaturën, mjetet e informimit, artikujt, internetin etj.), por këto burime nëse merren formalisht, ato e topitin dhe e vështirësojnë komunikimin ndërmjet hatibit dhe dëgjuesit dhe e bën hatibin më tepër spiker lajmesh në televizion. Çdo ligjëratë duhet të argumentohet me ajete kur’anore, me hadithe të Pejgamberit a.s. dhe me mendime të dijetarëve të pakontestueshëm.
Hatibi në minber nuk është në katedër shkencore dhe para auditoriumit shkencor dhe gjatë ligjërimit i lejohet të shpreh emocionet dhe ndjenjat e tij gjatë demonstrimit të ligjëratës, por asesi nuk bën që hatibi të bërtasë, të ulërijë, të qajë dhe të bëjë veprime e skena teatrale, siç jemi mësuar të shohim në disa raste te disa hatibë tanë. Zëri i lartë gjatë ligjëratës, të qajturit dhe veprimet teatrale, sipas psikologëve dhe ekspertëve të retorikës, e zvogëlojnë aftësinë e perceptimit të porosisë së hutbes drejtuar dëgjuesit. Po ashtu, hatibët duhet ta trajtojnë masën dëgjuese me korrektësi, e jo me qortime të tipit qortim fëmijësh apo devijantësh.
Hutbja ka përparësi kundrejt formave të shkruara dhe elektronike, sepse është e gjallë, dinamike, e transformueshme në ton dhe emocione sipas nevojës dhe kohës dhe hatibi këtë epërsi duhet ta përfillë, në të kundërtën, hutbja do të tretet dhe humbet në rëndësinë e saj para komunikimit elektronik dhe vizuel të radio-televizionit, të internetit dhe formave të tjera komunikuese në të ardhmen.

/islamgjakova/

Click Here To Join Native Media
Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com