Lajme
Bujar Osmani: Nuk mora asnjë informacion nga MPB për tre diplomatë

Tashmë disa ditë me radhë një skandal diplomatik po e trondit opinionin publik, por askush nuk jep përgjigje në pyetjen – kush e ka fshehur rastin?! Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, thotë se vetëm kanë marrë një letër nga MPB-ja edhe atë në vitin 2019 përmes së cilës kërkoheshin informacione për tre diplomatë mes të cilëve edhe i arrestuari Mile Milenkovski. Ne nuk kishim asnjë njoftim se ndaj tyre është lëshuar i ashtuquajtur fletarrestim i kuq në MPB, thotë Osmani, i cili paralajmëron se në diplomaci do të ketë veting të tërësishëm.
“I vetmi dokument që ka mbërritur në MPJ edhe atë 10 muaj para se të vij unë këtu, ishte një letër nga MPB-ja në të cilën pyesnin nëse këta tre diplomatë kanë pasaporta diplomatike dhe nëse në vitin 2018 ka qenë në udhëtim zyrtar. MPJ i është përgjigjur kësaj pyetjeje, sipas asaj që e mësoj tani, sepse i kërkoj dosjet, por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Domethënë nuk ka asnjë udhëzim se ne, gjegjësisht se MPJ atë kohë duhej të ndërmerrte diçka sa u takon këtyre diplomatëve”, tha Osmani.
Osmani vlerëson se i gjithë skandali i ka vënë në pah dobësitë gjatë lëshimit të certifikatave të sigurisë. Certifikata të këtilla kanë poseduar edhe diplomatët e përfshirë në këtë skandal dhe të gjithë kanë pasur qasje në dokumente të rëndësishme. Milenkovski e ka marrë certifikatën në vitin 2019 me vlefshmëri prej 5 vjetëve, por me diplomatin në fjalë Ministria e Jashtme ka pasur probleme edhe më parë.
“Mendoj se ky rast i vuri në pah dobësitë në sistem që janë trashëguar, sepse ja në këto informacione që po i lexoj shkruan se transferimi nga Detroiti në Çikago është bërë për shkak të incidenteve të caktuara. Unë tani i mora. Miloshoski e ka transferuar nga Detroiti në Çikago sepse është grindur me një ambasador. Nga Uashingtoni në Çikago, sërish për shkak të një zënke”, tha më tej Osmani.
Kryeministri Zaev nuk deshi të komentojë shumë, vetëm tha se secili që e ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi.
“Së pari askush nuk duhet të shpallet fajtor, derisa nuk vërtetohet. Por, pasi ka fletarrestim ndërkombëtar, kjo do të thotë se një shtet tashmë ka lëshuar akt juridik. Ajo është Armenia. Kjo është dëshmuar vetëm në atë shtet. Në pjesën e ndihmës ndërkombëtare dhe juridike dhe rregullores ndërkombëtare, është e drejta jonë ta shohin lëndën dhe t’i shohim dëshmitë”, tha Zaev.
Nga VMRO-DPMNE-ja kërkojnë dorëheqje nga zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, për shkak të skandalit diplomatik.
“Nxjerrja e manjatin armen nga Armenia është bërë duke shfrytëzuar shumë resurse dhe kjo nuk është bërë vetëm nga tre diplomatët. Zaevi duhet të tregojë se si diplomati Milenkovski ka arritur të marrë me qira një aeroplan dhe të nxjerrë një manjat nga Armenia. Është evidente se Milenkovski dhe dy diplomatët e tjerë janë vetëm kryerës, kurse dikush tjetër është porositës”, thanë nga VMRO-DPMNE-ja.
Tre vjet më parë Milenkovski bashkë me dy diplomatë të tjerë morën pjesë në organizimin e nxjerrjes së një afaristi dhe politikani i cili kërkohej në Armeni për korrupsion dhe fshehje të tatimit. Ndryshe, ndaj Milenkovskit është lëshuar fletarrest para një viti e gjysmë, kurse 10 ditë më parë është arrestuar nga ana e policisë serbe.
















