Connect with us

Lajme

Një zyrë për ambasadoren Kim në SPAK

Published

on

Nga Boldnews.al

Është andrallë e madhe lëvizja nga ambasada në zyrat e SPAK, gjithë ajo rrugë, trafik ndonjëherë, lodhje me ngjitje e zbritje shkallësh. Ka një formë më të mirë, më të vlefshme. Ambasadores Amerikane në Tiranë i duhet një zyrë, ngjitur me atë të kreut “de jure” të SPAK, Arben Kraja.

Aq shpesh po e viziton Kim këtë institucion sa edhe rojet e objektit po krijojnë “miqësi” me truprojat e ambasadores. Rrinë bashkë aty derisa mbledhja mbaron. Ndërsa Kraja mban shënime dhe në fund përcjell me buzëqeshje ambasadoren, që i le takimin e radhës shumë shpejt.

Po edhe kështu nuk shtyhet. Ajo po lodhet me ecejaken ambasadë-SPAK dhe anasjelltas. Këtë po e mendojnë mirë krerët e institucionit që duhet të luftonin krimin e organizuar dhe korrupsionin. Për t’ia lehtësuar punën dhe siguruar edhe më shumë kohën, mund të mendojnë për t’i bërë ambasadores Kim një zyrë aty në SPAK. Për arredim mos të lodhen fare, pasi ambasada i merr përsipër vetë shpenzimet.

Aty ajo do të njihet me hetimet, anëtarët e BKH-së do i shpjegojnë sesi po shkon një proces i nisur, çfarë provash kanë, ku pritet të thellohen me hetimet dhe çfarë u nevojitet për të shkuar thellë e më thellë. Pas tyre do shkojë edhe prokurori i çështjes, ta shohë në sy ambasadoren dhe të presë udhëzimet. Në fund edhe një bisedë me shefin “de jure” Arben Kraja i cili do të mbajë shënim sugjerimet e fundit të ambasadores.

Aq shpesh po shkon Kim në SPAK sa edhe mediat janë në dilemë ta bëjnë apo mos e bëjnë lajm, sepse nuk po përbëjnë më lajm takimet e shpeshta. Ndonjëherë ambasadorja pasi kthehet nga vizita shkruan ndonjë status në rrjetet sociale ku shprehet se i kërkoi Krajës që të hetohet me përparësi krimi i organizuar dhe korrupsioni në të gjitha nivelet. Pritet për ndonjë dosje të madhe për ministrat e qeverisë por asgjë nuk duket. Edhe kreu i SPAK ngjan se ia ka marrë dorën mirë kësaj pune, duke pohuar me kokë dhe artikuluar vetëm “po, po, po hetojmë, shumë shpejt do kemi rezultate”.

Ik një muaj e vjen një tjetër dhe po mbushet dy vjet nga ngritja e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar por qoftë edhe një dosje të vetme nuk ka. E vetmja “cironkë rezervati” mund të quhet kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe i cili po vuan për një tender të dyshuar korruptiv në pastrimin e një kanali vaditës. Duhej një “kokë turku” pas zhurmës së madhe për akuzën e shitblerjes së votave dhe lapsi i ra Tushës. Kaq, më shumë nuk shkohet.

As nuk pritet të ketë shkundje ky institucion me emer të madh dhe me vepra vocërrake. Larg qoftë ndonjë ministër i Ramës të përballet me drejtësinë nuk mund të imagjinohet as në ëndrrat makth të prokurorëve, por për të mbajtur qytetarët me gajret kanë dy vjet që bëjnë teatër. Ndaj edhe takimet e shpeshta me ambasadoren janë pjesë e shfaqjeve të filmave fantashkencë. Kështu funksionon “drejtësia e pavarur” e jona, por të mendohet seriozisht që ambasadores ti gjendet një zyrë aty në SPAK.

Click Here To Join Native Media
Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com