Shqipëri
Mimi Kodheli sulmon ashpër Berishën : Berisha e kishte mbushur kupën, duhet që emrat “non grata” të mos lejohen në Parlament

Kryetarja e Komisionit parlamentar të Jashtëm, njëherësh deputete e PS, Mimi Kodheli ka komentuar dje përjashtimit të ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe shpalljen e tij “non grata” nga DASH.
Teksa ishte e ftuar në një studio televizive, deputetja socialiste Kodheli theksoi se duhej që tashmë të ishte vendosur një standard në politikën shqiptare, që cilido person i shpallur “non grata” në SHBA, sipas saj, nuk duhet të ishte pjesë e legjislativit dhe ekzekutivit. Madje rastin e zotit Berisha, zonja Kodheli e kaloi në një prizëm më të gjerë, duke u shprehur se problemi i politikanëve shqiptarë qëndron në faktin se nuk dinë mënyrën si dhe kur duhet të dalin nga politika.
“Për njerëz që kanë qenë “non grata” duhet të ishin jashtë Parlamentit, ky duhet të ishte një standard i vendosur tashmë. Unë besoj se është në stanjacion, nuk ka asnjë ndikim. Është thjesht një problem i tyre. E vetmja gjë që duhet të them është që të zbatojnë një standard të cilin vetë e kanë kërkuar. Ashtu siç e kemi kërkuar ne dhe e kemi zbatuar. Do të vazhdojë të mbetet një problem i tyre, vjen nga më herët dhe nuk është një vendim i kryetarit Basha. Është një problem që daton herët, duhej menduar se do të vinte një ditë.
Politikanët shqiptarë në mendimin tim kanë një problem të madh në përgjithësi, e cila është mënyra si duhet të dalin nga politika, e para duhet të dish kur do të dalësh dhe e dyta është si do të dalësh”, deklaroi ajo. Më tej zonja Kodheli thumboi ish-kryeministrin Berisha, të cilit i kujtoi se duhet të ndiqte shembullin e kancelares gjermane, Angela Merkel për të dalë nga politika dhe jo sikundër doli ai në mënyrë të shëmtuar. “Një lidere si Angela Merkel e ka ditur se kur duhet të dalë. Është një mësim i madh. Mësimet janë aty, thjesht duhet t‘i përtypim dhe t‘i zbatojmë, të paktën të jemi të ngjashëm me ta. Nuk mund të jemi si ata pasi duhet të rrjedhë shumë ujë që të kemi demokracinë e tyre, për momentin të paktën të jemi të ngjashëm me ta”, nënvizoi Kodheli.
















