Connect with us

Lajme

Kiçeec ka marrë 30 ditë leje për shërim! Prokuroria do të hetojë se kush është fajtor për aksidentin

Publikuar

Si është e mundur që Zoran Milevski, i njohur si Kiçeec, që po vuan dënimin 3 vjeçar në burgun e Strugës, për rastin Reket, është në liri? Në aksidentin që dje ndodhi në rrugën Gostivar-Kërçovë, pikërisht Kiçeec ishte njëri prej të aksidentuarve me veturën Mercedes. Drejtori i Drejtorisë për zbatimin e sanksioneve, Marjan Spasovski, për TV21 thotë se ai e ka dhënë vendimin me të cilin Kiçeec ka marrë 30 ditë ndërprerje të vuajtjes së dënimit për arsye serioze shëndetësore, ndërsa ditët i skadojnë më 8 shtator.

 “Personi, Zoran Milevski Kiçeec është në 30 ditë ndërprerje të vuajtjes së dënimit për arsye shëndetësore. Ky është vendim i drejtorit të Drejtorisë, vendi im, në bazë të kërkesës së ekipit mjekësor i cili kryen mjekim dhe përmes Drejtorisë së burgut të Strugës”, tha drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve, Marjan Spasovski për TV21.

E pyetëm drejtorin Spasovski, pse Kiçeec, si të gjithë të burgosurit tjerë, nuk është dërguar me policinë e burgut në repartin e veçantë të Spitalit ku mjekohen persona të cilët po vuajnë dinim me burg dhe më pas i njëjti në të njëjtën mënyrë të kthehet në burg.

 “Ashtu është, është mjekim në suaza të burgut në përputhje me Ligjin për zbatimin e sanksioneve, nëse vlerëson drejtori se ka nevojë, ndërsa në këtë rast mbështetej në dokumente mjekësore, kishte probleme kardiovaskulare dhe shkon në analiza më të gjata. Kështu që ato analiza zgjatën një periudhë të gjatë”, tha për TV21, Marjan Spasovski – drejtor i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve.

Kiçeec kur ka ndodhur aksidenti ka qenë duke drejtuar veturën të tipit Mercedes, ndërsa me të kanë qenë edhe dy shtetas serb që kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Prokuroria publike hapi hetim se kush është fajtor për aksidentin në trafik ku ndërroi jetë një person. MPB doli me kumtesë ku përmes inicialeve duket se Kiçeec është një prej të lënduarve.

 “Lëndime të rënda trupore kanë marrë dy bashkudhëtaret e veturës Mercedes dhe që të dy shtetas të Serbisë, bashkudhëtari i veturës për mallra nga Gostivari dhe vozitësi, ndërsa lëndime të lehta kanë pësuar vozitësit Z.M. dhe E.N. si dhe bashkudhëtari i veturës BMW. Është kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes nga ekipi i stacionit policor të Gostivarit në prezencë të Prokurorit publik”, thonë nga MPB.

Me reagim doli partia opozitare VMRO-DPMNE.

“Qeveria me deklarata kontroverse e arsyeton faktin që Zoran Milevski Kiçeec është në liri, i cili ka marrë pjesë në aksident. Një herë thonë se është në liri për shkaqe shëndetësore, më pas pohojnë se është në liri për arsye familjare. Është e dukshme se pushteti i Zaevit po mundohet diçka të mbulojë dhe hesht”, potencoi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.

Kiçeec është i dënuar me 3 vjet burg për rastin Reket dhe ai është i vetmi i cili e pranoi veprën, ndërsa në këtë rast janë të dënuar Katica Janeva dhe Boki-13. Kiçeec për shkak të pranimit të fajit është dërguar në burgun e Strugës ku gjenden të burgosurit për vepra më të lehta penale.

NA NDIQ NË FACEBOOK