Lajme
A do ti bien kokës Petre Shilegovit zënkat me Izet Mexhitin dhe Blerim Bexhetin?

Për shkak të situatës politike që mbizotëronte gjatë zgjedhjeve lokale në vitin 2017 dhe mbi të gjitha falë votës shqiptare të siguruar përmes koalicionit me BDI -në, kryetari aktual i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov e arriti lehtë fitoren që në raundin e parë. Por, ai vështirë se do ta fitojë betejën në të cilën po hyn për një mandat të dytë dhe vetë Shilegov është i vetëdijshëm për humbjen e pashmangshme, si dhe për arsyet që e kanë sjellë deri në këtë pikë.
Pengesa kryesore për Shilegovin sigurisht që janë programi i pa përmbushur por kësaj radhe nuk e shpëtojnë dot as koalicionet dhe marrëveshjet në nivel lokal me shqipatrët, sepse Shilegov shumë shpejt pasi u bë kryetar i Shkupit e tregoi fytyrën e tij të vërtetë jo vetëm duke i diskriminuar vendbanimet shqiptare në aspektin e buxhetit, por ai me arogancën dhe shovinizmin e tij shkoi edhe një hap më larg duke i ofenduar dhe duke hyrë në “lufte” me dy shqiptarët që ishin më meritor për fitoren e tij në Shkup.
Përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, ai u përplas në Fejsbuk me ish -kryetarin e Çairit, Izet Mexhiti, i cili është një njeri peshë të madhe në këtë pjesë të Shkupit ku BDI-ja në zgjedhjet e fundit fitoi mbi 11 mijë vota, të cilat janë shumë të rëndësishme për Shilegovin në zgjedhjet që po afrohen, por pa aminin e Mexhitit vështirë se do përfundojnë në konton e tij.
Shilegovi përpara zgjedhjeve lokale reagoi në rrjetet sociale për performancën e të rinjve nga BDI-ja të cilët me lazer shkrojtën “Pse jo?” në kalanë e Shkupit, një slogan me të cilin e kërkuan Kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë, duke i cilësuar këto veprime si “përralla të lira” dhe pasi Mexhiti reagoi për këto fjalë të Shilegovit, ai edhe një herë i ktheu përgjigje duke e quajtur të paaftë.
Mexhiti iu përgjigj këtyre akuzave në një intervistë për “Fokus” ku thotë:
Ai u bë kryetar me mbështetjen e BDI -së, por menjëherë pas zgjedhjeve i la dhe i diskriminoi vendbanimet shqiptare në aspektin e buxhetit dhe infrastrukturës. Sipas reagimeve të tij dje, gjërat janë të qarta. Si mund t’i etiketojë me racizëm të gjithë shqiptarët si “eftini” dhe të pretendojë se është një politikan liberal?
Siç mund të shihet, përplasja shkoi shumë larg, dhe duke pasur parasysh karakterin e zotit Mexhiti, ai vështirë se do i tejkalojë ofendimet e Shilegovit i cili ka shumë për të humbur nga kjo situatë.
Problemet e Shilegov nuk përfundojnë këtu, sepse me arrogancën e tij ai bëri edhe një armik tjetër në bllokun shqiptar që mund të ndikojë dukshëm në rezultatet e zgjedhjeve, dhe ai është kryetari i Sarajit i cili ka një ndikim të madh në këtë komunë ku BDI-ja në zgjedhjet e fundit mblodhi diçka më pak se 9,000 vota të cilat, pas ofendimeve të Shilegovit për Bexhetin, vështirë se do të shkojnë në konto të kryetarit aktual të Shkupit, pavarësisht koalicionit me BDI -në.
Nëse marrim parasysh se Shilegov në zgjedhjet lokale në vitin 2017 fitoren më të thellë e korri në Çair me një diferencë prej 10,698 votash kundër kandidatit të atëhershëm të VMRO-DPMNE-së Koce Trajanovski, dhe dhe më pas në Saraj me një diferencë prej 8,546 votash, bëhet e qartë se marrëdhëniet e prishra me njerëzit kryesorë të këtyre dy komunave, do t’i bien kokës Shilegovit, dhe nëse kësaj i shtohet edhe mbështetja e humbur tek maqedonasit, humbja e kryetarit aktual të Shkupit në zgjedhjet e ardhshme lokale është e garantuar.


















