Connect with us

Sport

Zyrtare, Ardian Ismajli ndërron skuadër por jo kampionat, firmos për 4 vite me Empolin!

Publikuar

Ardian Ismajli ndryshon skuadër por jo kampionat. Pas një sezoni shumë pozitiv me Spezian në elitën e futbollit italian, mbrojtësi i kombëtares shqiptare është transferuar zyrtarisht te Empoli skuadër e sapongjitur në Serie A. Për shtuar eksperiencën në prapavijën e skuadrës së tij trajneri i toskanëve Aurelio Andrezzoli e donte me çdo kusht Ismajlin dhe drejtuesit e klubit ja plotësuan dëshirën. Empoli e ka blerë në mënyrë përfundimtare kartonin e mbrojtësit shqiptar i cili ka firmosur për 4 vite deri në 30 qershor të 2025-ës. Shifrat e këtij transferimi nuk bëhen të ditura nga ana e dy klubeve por në të njëjtën kohë nga Empoli te Spezia janë transferuar dy futbollistë greku Dimitrios Nikolaou dhe Samuel Mraz dhe mesa duket ka patur një shkëmbim futbollistësh mes dy klubeve.

Ardian Ismajli është rritur si futbollist te skuadra kosovare e 2 Korrikut për të kaluar më pas te Hajduku i Splitit në Kroaci aty ku spikati me lojrat e tij, teksa në kampionatin kroat regjistroi në total 80 ndeshje. Në verën e kaluar Ismajli u transferua nga Hajduku i Splitit te Spezia për 2,2 milionë euro. 24-vjeçari kontribuoi në qëndrimin e Spezias në Serie A teksa u aktivizua në 17 ndeshje duke shënuar dhe 1 gol. Te Empoli janë të shumë të lumtur me afrimin e mbrojtësit shqiptar që me kombëtaren kuqezi regjistron 18 paraqitje dhe 1 gol dhe janë të bindur se me Ismajlin në skuadër mbijetesa do të jetë një objektiv më i arritshëm.

NA NDIQ NË FACEBOOK