Connect with us

Sport

Telashe për Stuttgartin, Kalajdzic humb gjysmën e parë të sezonit

Publikuar

Lajme aspak të mira për trajnerin e Stuttgartit, Pellegrino Matarazzo. Si të mos mjaftonte humbja e thellë 4-0 në transfertën ndaj Leipzig të shtunën pasdite, klubi humbi edhe shërbimet e sulmuesit austriak Sasa Kalajdzic, i cili u dëmtua në minutat shtesë të takimit.

Gjatë një dyluftimi ajror, 24-vjeçari u rrëzua në tokë dhe dëmtoi shpatullën, ndërsa pas një vëzhgimi 24-orësh, mjekët kanë vendosur që Kalajdzic t’i nënshtrohet një operacioni, si mënyra e vetme për t’u rikuperuar.

Lajmin e ka dhënë drejtori sportiv i klubit të Stuttgartit, Sven Mislintat, i cili deklaroi se operacioni pritet të kryhet këto ditë dhe se sulmuesi austriak do ta ketë të pamundur të rikthehet në fushë më herët se janari i vitit të ardhshëm.

“Për fat të keq u konfirmua ajo që i trembeshim më shumë. Pas monitorimit 24-orësh, është parë e domosdoshme që Kalajdzic të operohet për të rikuperuar dëmtimin në shpatull. Ai është një nga lojtarët tanë kryesorë, një pikë referimi në sulm, por do të duhet të bëjmë pa shërbimet e tij të paktën deri në fund të këtij viti”, deklaroi Mislintat.

Dëmtimi i Kalajdzic ka vënë edhe njëherë në lëvizje drejtuesit e klubit, pasi siç pranon Mislintat, po studiohen mundësitë për të afruar një tjetër sulmues, qoftë edhe në huazim deri në muajin janar, në mënyrë që të kompletojnë organikën e trajnerit Matarazzo.

Një fillim aspak i mbarë për sulmuesin austriak, që ndërpreu përgatitjet para-sezonale për shkak të koronavirusit dhe pas dy javësh në karantinë, u rikthye vetëm në pjesën e dytë të ndeshjes me Leipzig, aty ku edhe u dëmtua për të qëndruar tashmë të paktën 4 muaj larg fushave.

NA NDIQ NË FACEBOOK