Connect with us

Kosovë

Osmani: SHBA i ka kërkuar Kosovës strehimin e përkohshëm të afganëve

Publikuar

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka konfirmuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova të strehojë përkohësisht qytetarët nga Afganistani.

Osmani tha se kjo kërkesë e sekretarit të shtetit Anthony Blinken, është përcjell nga ana e ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Phillip Kosnett.

E para e shtetit të Kosovës theksoi se ajo ka dhënë pëlqimin për një operacion të tillë duke u nisur nga parimi njerëzor.

Vjosa Osmani shtoi se Kosova respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve.

“Më 16 korrik, pak ditë pasi bota, e sidomos ne në Kosovë shënuam Ditën Botërore të Refugjatëve, jam kontaktuar nga Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, i cili përcillte një kërkesë nga Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken. Kërkesa kishte të bënte me strehimin e përkohshëm të afganëve, civilë të pafajshëm, të cilët tani ishin në shënjestër të Talibanëve, vetëm sepse kishin qëndruar në anën e aleatëve tanë, në anën e paqes e demokracisë, në anën e barazisë e të drejtësisë. Ata ishin punëtorët lokal që kishin punuar bashkë me forcat amerikane, si dhe familjet e tyre, përfshirë fëmijë”.

“Pa asnjë hezitim apo kushtëzim të vetëm, kam dhënë pëlqimin tim për një operacion të tillë humanitar, duke u nisur së pari nga parimi njerëzor se nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë janë të detyruar të lënë vatrat e tyre për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë; së dyti, për shkak se si anëtare e denjë e komunitetit të shteteve të lira, Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve; dhe e treta, për shkak se ne duhet t’u qëndrojmë miqve tanë, e sidomos Shteteve të Bashkuara në krah, ashtu sic na qëndruan ata neve në të mirë e në të keq”.

NA NDIQ NË FACEBOOK