Lajme
Nis peticioni për largimin e Bregoviqit nga festivali në Korçë

Një peticion online ka nisur të nënshkruhet para pak kohësh kundër këngëtarit serb Goran Bregoviq.
I gjithë synimi i këtij peticioni është qe të anulohet performimi i Bregoviqit në “Festën e Birrës” e cila do të mbahet në qytetin e Korçës nën patronatin e Bashkisë së Korçës.
Organizatorja e peticionit Albana Ulaj thotë se këngëtari Bregoviq ka ngjallë nacionalizëm tek serbët për të kryer masakra në Kosovë dhe Ballkan, njofton Klankosova.tv.
“Përveç kangëve serbe që po jehojnë brigjeve të Shqipërisë nëpër disa bare e restorante, tash Bashkia e Korçës ka ftuar në koncert Goran Bregović, i cili ka ngjallur nacionalizëm tek serbët me këngën “Kallashnikov” në vitet e 90-ta, ku fjalët “Pucaj” (Qello); “Juris” (Sulmo); dhe “Boom Boom Boom” (simbolike e zhurmës së bombave dhe armëve) janë tingujt që nxitën ushtarë e paramilitarë serb për të kryer masakra në Kosovë, por edhe më gjërë në Ballkanin e viteve të 90-ta”, thuhet në njoftimin e tyre.
Sipas këtij njoftim, ky peticion duhet të nënshkuhet në emër të gjithë viktimave të luftës në Kosovë dhe të pagjeturve.
“Që në emër të viktimave të luftës në Kosovë; në emër të masakrave që u kryen mbi popullatën Shqiptare në Kosovë; në emër të atyre për të cilët ende nuk e dimë se ku janë; në emër të nënave Shqiptare që ende po kërkojnë drejtësi për të pa gjeturit; në emër të motrave të dhunuara Shqiptare, në emër të fëmijëve jetim”, thuhet tutje.
Këtë peticion online Ulaj ia ka dërguar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramaj dhe Bashkisë së Korçës.
Peticionin mund ta nënshkruani këtu.
.




















