Pas marrjes së lajmit të hidhur, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka i ka dërguar një telegram ngushëllimi drejtuesve të Federatës Gjermane të Futbollit ku i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e legjendës së futbollit gjerman dhe botëror.
Gerd Myler ka qenë padyshim një nga futbollistët më të mëdhenj të Gjermanisë, duke shkruar historinë përmes golave dhe rekordeve. Për Bajernin, ai ka shënuar 566 gola në 607 ndeshje, duke fituar Kupën e Kampioneve për tre vite radhazi (1974, 1975 dhe 1976), ndërkohë që me Gjermaninë ka shënuar 68 gola në 62 paraqitje.
Myler realizoi dygolësh në finalen e Kampionatit Europian 1972 dhe golin vendimtar në finalen e Botërorit 1974, që u fitua nga Gjermania.
























