Connect with us

Lajme

Korça nuk zmbrapset për Bregoviqin (VIDEO)

Publikuar

Terminali i Autobusëve në Korçë do të shndërrohet në arenë koncertesh nga 18 deri më 22 gusht, andaj përgatitjet po bëhen me intensitet të shtuar.

Por gjithë adhuruesit e birrës dhe muzikës, këtu nuk do të kenë mundësi ta dëgjojnë asnjë këngëtar nga Kosova. Të gjithë të ftuarit kosovarë në Festën tradicionale të Birrës e kanë anuluar pjesëmarrjen, pasi nuk duan të jenë në të njëjtën listë me serbin Goran Bregoviq, njofton Klan Kosova.

Ftesa për atë që po quhet këngëtar kontravers hasi në kundërshti të forta, sidomos në Kosovë, për shkak të krijimeve të tij artistike që konsiderohet te kenë frymëzuar ushtarët serbë për të kryer krime në luftën e Kosovës.

Në Korçë, qytetarët janë të ndarë ne mendime për pritjen e Bregoviqit në festë. Disa thonë se prezenca e tij nuk i pengon, kurse të tjerë nuk duan ta shohin në skenë.

Nuk dihet nëse do të ndodh diçka në natën e fundit të festës, kur performon serbi, por një këso thirrje pak a shumë e kanë bërë edhe tifozët Kuq e Zi. Gerti Lifo nga Korça thotë se nuk duhej bërë kjo përzgjedhje.

“Këngëtari është përfshirë dashje e pa dashje në atë, prandaj për respekt të viktimave në Kosovë nuk është dashur të jetë ai. Së paku të kishte kërkuar falje fillimisht, pastaj do të mund të këndonte”, shprehet ai.

Por të paktën një javë para ngjarjes, në qytetin nikoqir nuk vërehen tensione.

Gazetarja e Ora News, Iris Rezhda, thotë se korçarët janë shumë të qetë në këtë debat dhe të gjitha reagimet po bëhen vetëm në rrjete sociale. Ndërsa shton se partitë opozitare po e kalojnë në heshtje këtë periudhë.

“Nuk ka reagime as nga partitë opozitare, ndoshta për shkak të zhvillimeve të fundit, për shembull në Partinë Demokratike ku pati dorëheqje masive”, thotë ajo.

Në anën tjetër, vetë organizatorët ngulin këmbë se nuk tërhiqen nga mysafiri special, andaj Bregoviq performon më 22 gusht.

Koncerti i Goran Bregoviq do të jetë i vetmi në Festën e Birrës për të cilin kërkohet pagesë për hyrje, e që do të kushtojë një mijë lekë apo 8 euro e 25 centë.

.

NA NDIQ NË FACEBOOK