OP / ED
Kalorësi, Freri e Kali

Shkruan, Mr. Driton NEBIU
Kur kalorësi e mban frenin e pandërprerë e godet Kalin, mjer për Kalin!
I entuziazmuar nga fakti se nga një rrugaç ordiner, falë manovrave prej poltroni, arriti të bëhet i ashtuquajtur “zëvendëskryeministër i parë”, ish shverceri, i cili pasi që u zgjua nga ëndrra e të qënurit aktivist joqeveritar u fut në vrimat anale të qeveritarëve, si pikënisje drejt “ngritjes” në hierarkinë shoqërore me qëllime “humane” për të përfituar personalisht.
Nuk i pengoi të njejtit as krahasimi me një kafshë shtëpiake të një farë Shemos së famshëm nga rrethi i Zajazit, as selfiet me komitët e VMRO-së në vend të Nexhati Agollit, po as edhe përqafjet vëllazërore me djalin e shefit të shërbimit sekret përderisa derdhej gjak i shqiptarit në objektin e përfaqësimit të popullit, as koalicionimet me numër e pa numër po në numër të tijat dhe subjektit që përfaqëson, gjithnjë në hap dhe vrap për të qenë në shtet e me pushtet, po ani se popullata në emër të të cilës po përfitojnë çdo ditë e më shumë ballafaqohej e po ballafaqohet me mjerim në çdo aspekt. Kështu e ka puna e profiterëve.
Sot, ky i entuziazmuari, po flet për koalicionime të të tjerëve, jo se vërtet brengoset për ndjenjat e votuesve të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, sepse ai asnjëherë nuk është brengosur as për ndjenjat e atyre që fatkeqësisht janë të kapur nga “sistemi i tyre” zhvatës e obligohen të votojnë në kompenzim për moslargim nga vendi i punës apo shpëtim nga kërcënimet e llojeve të ndryshme, por, ai ka brengë fatin e tij dhe asaj që ka mbetur nga BDI e që quhej trashëgimtare e UÇK-së, të cilën e brohoriste etuziasti edhe kur duhej edhe kur nuk duhej, gjithnjë sa për t’u “ligavur” ndaj liderit, e që sot është shndërruar në degë të një subjekti multi-kulti, në dukje, por puro monoetnike në parim.
Ia bëjmë me dije të entuziazmuarit, se koalicionet parimore, kanë dallim nga koalicionimet e imponuara si rezultat i paaftësisë dhe kapjes me presh në dorë, ku çdo herë të jepet vetëm mundësia e karrotës dhe shkopit së bashku me aranzhmanin turistik për rrugëtim deri në Stamboll e që realisht përpos të entuziazmuarve nuk sjell asnjë dobi për askend. Koalicionet me qëllim lirimin e shtetit dhe popullatës nga keqmenaxhimi, korrupsioni, e mjerimi dosido do të ngadhnjejnë, jo pse duam ne, por ngase këtë e kërkon sovrani të cilit i është uzurpuar përfaqësimi nga puthadorë si lloji i lartëpërmendur.
E kemi të qartë brengën tënde, por, fatkeqësisht nuk mund të të ndihmojmë. Koha e juaj gati ka përfunduar, këtë edhe ju e dini shumë mirë, andaj edhe këto reagime i kuptojmë si refleks i mbrojtes së fundit.






















