Sport
Haaland vs Lewandowski, Borussia e Bayern luajnë për trofeun e parë të sezonit


Bundesliga ngriti siparin e sezonit të ri fundjavën e kaluar, duke sjellë emocione të shumta në një vit ku pritet betejë e fortë për titullin kampion mes Bayernit të Mynihut dhe Borussias së Dortmundit, me këta të fundit që “treguan dhëmbët” në start, ndonëse me mungesa të shumta.
Të dy skuadrat që kanë ndezur rivalitetin në kampionatin gjerman gjatë viteve të fundit, do të përballen mbrëmjen e sotme për trofeun e parë të sezonit, Superkupën e Gjermanisë, e cila do të startojë në orën 20:30 në “Signal Iduna Park” të Dortmundit dhe do të vijë ekskluzivisht në ekranin e Supersport 2.
Bavarezët fitues të titullit kampion kanë ndryshuar trajner gjatë verës dhe tani nën drejtimin e Julian Nagelsmann nuk e kanë nisur aspak mirë, pasi përveç zhgënjimit në miqësoret e verës, nuk shkoi dot përtej barazimit 1-1 edhe në ndeshjen hapëse ndaj Borussia Monchengladbach.
Për më tepër tekniku i ri i bavarezëve nuk ka arritur të ndërtojë një raport të mirë as me tifozërinë e ekipit, për faktin se në moshë të re ka luajtur për rivalët kryesorë të qytetit, Munich 1860 dhe do t’i duhej një sukses ndaj Borussias për të “ndezur një shkëndijë dashurie” me fansat.
Nga ana tjetër edhe verdhezinjtë nga Dortmundi kanë ndryshuar trajner, pasi ia kanë besuar pankinën Marco Rose, nën drejtimin e të cilit bënë mjaft mirë në ndeshjen hapëse, pasi fituan 5-2 të udhëhequr nga Haaland, ndonëse kishin shumë mungesa.
Hummels, Emre Can, Guerreiro dhe Thomas Meunier janë katër futbollistët e repartit të prapavijës që nuk do të mund të japin kontributin e tyre ndaj bavarezëve, ndërsa në dyshim është edhe mesfushori gjerman Julian Brandt.
Megjithatë trajneri Rose ka përshtatur në qendër të mbrojtjes mesfushorin belg Axel Witsel dhe nuk ka ndërmend të fshihet, pasi edhe në konferencën për shtyp deklaroi se dëshiron të fitojë trofeun e parë për të cilin po garon me Borussian e Dortmundit.
Gjithsesi e rëndësishme është që finales së Superkupës nuk do t’i mungojnë dy nga sulmuesit më të mirë në botë, Erling Haaland i Borussias dhe Robert Leëandoëski i Bayernit të Mynihut, të cilët do të kërkojnë të “vjedhin skenën” në arenën e Dortmundit.





















