Sport
Emir Sahiti shkëlqen në Kroaci, gol spektakolar ndaj Slaven Belupos


Emir Sahiti është vetëm 22 vjeç, por ka kaluar situata të vështira në karrierë, saqë nëse i bën një rezyme do të vije bast që ka më shumë kohë në futbollin profesionist se sa vitet mbi supe. Talenti i tij ishte në dritën e diellit që tek grupmoshat e Prishtinës e më pas tek Rabotnicki dhe jo më kot një klub i madh kroat si Hajduku i Splitit e afroi në Janar të 2018-ës.
Rrugëtimi në Kroaci për një djalë që në atë kohë ishte vetëm 20 vjeç nuk ishte i thjeshtë dhe hapësirat me skuadrën e parë ishin shumë të limituara. Sezoni 2019-2020 ishte ndër më të vështirët ku Sahiti e pa veten të luante vetëm me skuadrën e dytë dhe gjithashtu një dëmtim e penalizoi, madje aq e ndërlikuar ishte situata në planin personal saqë në një moment krizë e mendoi edhe të “hedhë peshqirin” të dorëzohej, por për fat të mirë nuk e bëri.
Huazimi tek Sibeniku edicionin e shkuar ishte zgjedhja më e mirë që ka bërë në jetën e tij. Një edicion i mrekullueshëm, 7 gola , dy asiste në kampionat, lojtari më i mirë i vitit tek Sibeniku dhe futbollisti i ri më i mirë i sezonit në ligën kroate. Këtë sezon Hajduku e mbajti për vete dhe Emiri po qëndron në lartësinë e pritshmërive madje edhe më lart.
Një gol dhe 1 asist në kompeticionet europiane dhe 1 gol dhe 1 asist në 5 ndeshjet e para në kampionat, e meqë jemi tek goli në kampionat, ai i realizuar këtë të shtunë kundër Slaven Koprivnicës ishte një magji.
Inkursion individual, driblim, forcë dhe kthjelltësi në momentin e finalizimit, ai gol kishte gjithçka dhe i tregoi të gjithëve se sa talent ka 22-vjeçari shqiptar. Ndoshta ndoshta ka ardhur momenti që Emir Sahiti pasi fanellën kuqezi e ka veshur në të gjitha përfaqësueset e moshave ta provojë për herë të parë edhe me kombëtaren e madhe.





















