Lajme
Edi Rama: Histeria vazhdon, por s’e kam barazuar Dua Lipën me Goran Bregoviqin

Kryeministri shqiptar Edi Rama sërish ka reaguar për sharjet që i ka marrë në adresë të tij për një shkrim që pati rreth koncertit të këngëtarit Goran Bregoviq në Korçë.
Ai më herët kishte thënë se ata që e shajnë Bregoviqin për identitetin e tij janë njësoj sikur serbët që shajnë këngëtaren shqiptare Dua Lipa, njofton Klan Kosova.
“Ku ndryshojnë për shembull ata që në Serbi i hakërrehen me fjalorin më të ndyrë Dua Lipës në rrjetet e saj sociale, vetëm pse ajo është një shqiptare krenare e Kosovës, e cila del mbështjellë me të dy flamujt e shteteve tona, me ata që iu hakërryen me shqipen më të ulët në rrjetet tona sociale Goran Bregoviçit, duke e trajtuar si një kriminel lufte e duke i mveshur faje që ai nuk i ka bërë vetëm se ai këndon serbisht?”, kishte thënë Rama.
Por, për deklaratë ai mori komente të tjera që e akuzonin se po e barazon Bregoviqin me Lipën.
“Ashtu siç bënë Bregoviçin kriminel serb pa asnjë fakt, tani sokëllijnë që unë paskam barazuar Dua Lipën me të! Dhe histeria vazhdon por jo, unë nuk kam barazuar hiçfare Dua Lipën me Goran Bregoviçin, po kam thënë me një shembull të vërtetën e hidhur se të barabartë, njësoj krejt janë ata që shajnë e mallkojnë, në serbisht a në shqip, artistët e sportistët me emër të palës tjetër! Histeri fashiste që as nuk e mbron, as e nderon, po vetëm e turpëron shqiptarinë, e cila s’mund të jetë kurrë shembëlltyrë e urrejtjes!”.
.



















