Sport
Dy gola në dy ndeshje me Tirolin, Vrioni në formë


Giacomo Vrioni tjetër gol në Bundesligën Austriake, pas atij finalizimi me 11-metërsh në barazimin me Austrinë e Vjenës. Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, pjesë e Tirolit në elitën e futbollit në Austri, gjeti rrugën e rrjetës, këtë herë përballë LASK-ut, në javën e tretë të kampionatit.
22-vjeçari e pati të lehtë të shtynte topin drejt rrjetës në minutën e 28-të të takimit, pas asistit të marrë nga Anselm, që duhet pranuar kishte meritën kryesore në këtë finalizim.
Gjithsesi, goli i Vrioinit nuk i mjaftoi Tirolit, që u ndëshkua nga Karamoko i LASK-ut në minutën e 60-të. Skuadra e Vrionit ka marrë tri barazime në tri sfidat e para të kampionatit, duke u renditur në vendin e nëntë.
Kjo e diel ishte ditë më fat edhe për Sokol Cikalleshin, që me golin e tij të shënuar që në minutën e 13-të i hapi rrugë fitores 3-1 të Konyasporit përballë Alanyasporit në miqësore.






















