Lajme
Dëshira për pushtet të përjetshëm e Enver Pajazitit, rrezikon seriozisht Komunën e Bërvenicës

Koment / in7.tv
Enver Pajaziti zyrtarisht ka nisur procedurën për grumbullimin e nënshkrimeve, që të kandidojë për mandatin e katërt radhazi në krye të Komunës së Bërvenicës. Por për dallim prej para 4 viteve kur pas tij u rreshtuan partitë më të mëdha shqiptare, kësaj radhe ai garon i vetëm. Partitë tjera shqiptare kanë nxjerrë ose janë në prag të nxjerrjes së kandidatëve për kreun e kësaj komune. Kjo “e nxjerr” jashtë loje Pajazitin, i cili edhe sipas anketave interne të bëra nga subjektet politike, nuk duket aspak favorit. Gara e fuqishme pritet mes Aleancës për Shqiptarët, e cila në dy ciklet e fundit del fituese në në këtë komunë dhe BDI-së, që ka hequr dorë tërësisht nga Enver Pajaziti, i cili në dy mandatet e para ishte kandidat i kësaj partie.
Situata paraqitet e favorshme për dy partitë maqedonase, VMRO dhe LSDM, të cilat mundohen që këtē komunë ta kthejnë në duar të maqedonasve. Dhe gara pritet të jetë e ngushtë, ashtu si në ciklet paraprake zgjedhore. Para 4 viteve, Aleanca për Shqiptarët megjithëse qëndronte mirë me përkrahje në këtë komunë, hoqi dorë nga gara me të vetmin arsyetim, që komuna të vazhdojë të drejtohet nga shqiptarët. Kështu ata dhanë përkrahje për kandiatin e pavarur Envet Pajaziti, ndërsa dolën si parti e parë në votat e Këshillit. Edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, Aleanca për Shqiptarët bashkë me Alternativën dolën fitues bindshëm para partive tjera shqiptare në këtë komunë.
Por, pse Enver Pajaziti këmbëngul edhe për një mandat në krye të komunës? Edhe pse i vetëdijshëm se nuk është aspak favorit, siç pohojnë për in7 burime të afërta pranë tij, Enver Pajaziti po i hyn garës, madje duke rrezikuar seriozisht që me komunën të drejtojnë partitë maqedonase. Kjo sepse përçarja e votës shqiptare në më shumë subjekte, mund të nxjerrë fituese në këtë komunë ndonjë kandidat maqedonas, që me një angazhim më të madh, ndoshta e fiton komunën që në raundin e parë. E angazhimi i partive maqedonase kësaj radhe duket se do të jetë shumëfish më i madh. Kjo ndodhi edhe në zgjedhjet parlamentare, ku dy partitë e para dolën VMRO dhe LSDM.
Dëshira e madhe për pushtet të përjetshëm mund ta vë në pikëpyetje Komunën e Bërvenicës.
Tre mandate në krye të një komune, mesiguri se janë shumë, ndërsa katër mandate radhazi do të ishte e tepruar. Enver Pajaziti, në vend të aventurave personale, do të ishte e udhës të falënderojë qytetarët e Bërvenicës që i qëndruan pranë në mbi 12 vite pushtet, të falënderojë ndoshta edhe subjektet politike që para 4 viteve i qëndruan pas, me të vetmin qëllim, që komuna të vazhdojë të drejtohet nga shqiptarët. Çdo veprim tjetër, mesiguri do të shkojë në favor të partive maqedonase. Përgjegjshmëria dhe morali polik e kombëtar vihet në provë në të tilla raste. A do të sundojë arsyeja, logjika e shëndoshë dhe interesi qytetar e kombëtar, para tekeve personale dhe interesave individuale, kjo do të shihet në vijim!?
Zgjidhja për Enver Pajazitin është shumë e lehtë. Pensioni shijohet me nder!

















