Connect with us

Sport

Derbi i Londrës, “ajka” e futbollit të së dielës, në aksion Reali e Bayerni

Publikuar

Pas suksesit në sfidën me “Shqiponjat” e Crystal Palace-t, blutë e Chelsea-t përballen në një tjetër derbi me Arsenalin dhe këtë herë “The Blues Lions” kanë një rast të shkëlqyer për t’u kthyer në rrugën e fitoreve, në ndeshjet ndërmjet tyre. Pavarësisht ndryshimeve rrënjësore që ka pësuar në të gjitha aspektet skuadra e Chelsea-t nën drejtimin e trajnerit Thomas Tuchel në mënyrë të pabesueshme “Topçinjtë” kanë fituar tre përballjet e fundit kompetitive mes tyre, në të gjithë kompeticionet.

Tani gjërat kanë marrë një rrjedhë krejt tjetër dhe përkrahësit e Arsenalit do të ishin vërtet shumë të lumtur qoftë edhe me një barazim. Për tifozët e Chelsea-t ky është takimi që ndihet më shumë, duke pasur parasysh pozitat inferiore të skuadrave të tjera që pozicionohen në Londrën Perëndimore si: Brentford, Fulham dhe Queens Park Rangers, ndërsa “The Gunners” kanë si sfidën e sfidave fillimisht derbin me Tottenham-in dhe më pas duelin e ndezur me Manchester United, kështu që për fansat e “Topçinjve” Chelsea vjen i treti në listën e kundërshtarëve më të rëndësishëm. Derbi i Londrës Veriperëndimore pra i gjen këto dy klube në pozita të ndryshme dhe i vetmi avantazh për Arsenalin mund të konsiderohet fakti që “Topçinjtë” e luajnë këtë ndeshje në Stadiumin Emirates.

Duke llogaritur edhe dy ndeshjet e mëparshme miqësore, ku “The Gunners” u mposhtën 1-0 dhe 2-1 respektivisht nga armiqtë e tyre të përbetuar të Tottenham-it dhe Chelsea-t, Arsenali ka humbur tre takimet e fundit dhe situata për trajnerin Arteta është përkeqësuar ndjeshëm.

Në sfidën hapëse të edicionit të 30 të Premier League-s “Topçinjtë” u mundën 2-0 nga një ekip si Brentfordi, që u kthye në elitën e futbollit anglez pas plot 74 vjetësh. Pavarësisht 22 tentativave të miqve në Community Stadium futbollistët e Arsenalit vuajtën fizicitetin e vendasve dhe për rrjedhojë “bletët” shfrytëzuan rastin për të shënuar nga një gol për cdo pjesë. Sa për kuriozitet kuotat e Artetës pas kësaj disfate ranë nga 13 në thjesht 2 dhe tani 39-vjeçari bask është favorit sipas bookmakers-ave për t’u bërë trajneri i parë që do të shkarkohet, në këtë edicion jubilar të Premiership-it Anglez.

Në sfidën e parë tekniku spanjoll mund të justifikohet deri diku, se nuk kishte në dispozicion asnjë nga dyshja Aubameyang – Lacazette, të cilët nga sa u zbulua më vonë munguan pasi rezultuan të prekur nga virusi Covid – 19. Sezonin e kaluar Arsenali u dogj me fotofinish, për thjesht një pikë të vetme nga rivalët e urryer të Tottenham-it, duke mbetur në këtë mënyrë jashtë Kupave të Evropës për herë të parë pas ekzaktësisht cerek shekulli dhe të gjithë menduan se një detaj i tillë, pra me ekipin londinez jashtë kompeticioneve të Kontinentit të Vjetër, do t’i ndihmonte “Topcinjtë” për të bërë përpara në kompeticionet vendase.

Tani përvec Arsenalit rrezikon seriozisht edhe trajneri nga San Sebastiani, duke pasur parasysh që pas bluve në Premier League “The Gunners” do të kenë një tjetër mision të pamundur me kampionët në fuqi të Manchester City-t, për më tepër në Etihad, pra larg kryeqytetit. Në krahun tjetër ecuria e Chelsea-t ka qenë stratosferike, që nga fundi i muajit janar, kur mori timonin në duar trajneri Thomas Tuchel.

Si për ironi të fatit, karriera e tij me Chelsea-n startoi me një barazim pa gola me Wolves, brenda në “Stamford Bridge”, sidoqoftë javën e ardhshme përveç 48-vjetorit trajneri bavarez do të plotësojë gjithashtu edhe shtatë muaj në krye të bluve. Gjatë kësaj periudhe Chelsea fitoi trofeun me “veshë të mëdhenj”, teksa mposhti në finalen e madhe në Dragao të Portos City-n e Guardiolës, falë një goli të realizuar në fundin e fraksionit hapës nga Kai Havertz.

Skuadra vërtet humbi finalen në FA Cup me Leicester City-n, me atë gjuajtje nga larg të belgut Youri Tielemans, por, në fund, duke parë mënyrën se si u tjetërsua ekipi nën drejtimin e trajnerit bavarez presidentit Roman Abramovich ndoshta do t’i kishte mjaftuar qoftë edhe ai sprint në javët përmbyllëse të kampionatit, që e pozicionoi klubin në vendin e katërt, pra brenda Zonës Champions, me 6 pikë më tepër se sa Arsenali.

Sikur të mos mjaftonin treçerek milionët që shpenzoi Frank Lampard verën e kaluar, ekipi sivjet është përforcuar me sulmuesin belg Romelu Lukaku, që u kthye sërish te blutë, duke kaluar në këtë mënyrë edhe brazilianin Neymar, për t’u shndërruar vetvetiu në lojtarin absolutisht më të shtrenjtë në historinë e futbollit botëror, për nga vlera e përgjithshme e transferimeve përgjatë karrierës, pra plot 285 milionë stërlina në total. Në krahun tjetër 74-vjeçari nga Misuri Stan Kroenke konsiderohet si një ndër tre presidenët me një klub futbolli në zotërim më të pasur në planet dhe për hir të së vërtetës “The Gunners” kanë reaguar në merkato, duke shpenzuar plot 104 milionë paund, prë treshen Ben White – Martin Odegaard – Aaron Ramsdale. Derbi Arsenal – Chelsea do të luhet në orën 17:30 në Stadiumin Emirates dhe do të drejtohet nga kryesori Paul Tierney.

Përsa i përket sfidave të tjera të dielën në mbrëmje do të zbresin në fushë edhe dy skuadrat e famshme madrilene. Kampionët në fuqi në Primera Division do të presin në “Wanda Metropolitano”, në orën 19:30 Elche-n, ndërsa rekordmenët e futbollit spanjoll do të masin forcat në orën 22:00, në Qytetin e Valencias, me skuadrën e Levantes.

Në Bundesliga, pas triumfit në Superkupën e Gjermanisë, Bajerni i Mynihut do të kërkojë fitoren e parë në kampionat, teksa do të presë në orën 17:30 në “Allianz Arena” ekipin e Këlnit, ndërsa më herët në orën 15:30 në Sinsheim do të luhet takimi Hoffenheim – Union Berlin.

Në Premier League me interes pritet gjithashtu edhe sfida e orës 15:00 Southampton – Manchester United, ndërsa në mbrëmje në orën 20:45 përvec ligës spanjolle tifozët e futbollit francez kanë rastin për të ndjekur edhe derbin e Mesdheut, Nice – Marseille.

Sfidat në SuperSport fillojnë me kampionatin holandez. Eredivisie ofron duelin Twente – Ajax në mesditë si dhe takimin Feyenoord – Go Ahead Eagles në orën 14:30, ndërsa në mes në orën 13:30 kuriozitet ngjall gjithashtu edhe ndeshja e Bundesligës së Dytë Hamburg – Darmstadt.

NA NDIQ NË FACEBOOK