Lajme
24 pushues kanë vdekur në plazhet e Shqipërisë prej nisjes së sezonit veror, mungojnë vrojtuesit

Të paktën 24 pushues kanë humbur jetën në plazhet e Shqipërisë prej nisjes së sezonit veror.
Tre prej tyre vetëm të dielën e 22 gushtit. Një vëzhgim i Tv Klan në disa nga plazhet më të frekuentuara nxjerr në pah mungesën e vrojtuesve, që kanë si detyrë të monitorojnë vijën bregdetare.
Në Velipojë shënohen shtatë të mbytur që nga fillimi i verës, megjithatë një pjesë e madhe e kullave të vrojtimit janë pa një roje bregdetare.
Në plazhin e Spillesë dy shtetas nga Maqedonia e Veriut u mbytën mëngjesin e së dielës, e pikërisht në atë zonë rojet bregdetare mungojnë. Asnjë vrojtues nuk ka në hapësirën publike të plazhit.
Në vijën bregdetare të Lezhës nga afro 250 kulla vrojtimi, vetëm 86 prej tyre janë te pajisura me vrojtues.
Në Durrës dhe Kavajë vetëm në gusht humbën jetën 7 persona, pikërisht në ato zona nuk ka vrojtues.
Nëse subjektet private e kanë të detyrueshme të ketë një roje bregdetare të liçensuar, në zonat publike kjo mungon thuajse tërësisht. Kjo pranohet edhe nga sekretari i shoqatës së vrojtuesve.
Tv Klan iu drejtua njesive vendore për këtë problematike, por pjesa më e madhe e tyre refuzuan të përgjigjen. Vetëm nga Bashkia Durrës përgjigjesinë e monitorimit e pasuan drejt Minstrisë së Turizmit, në një kohë që ligji ngarkon pushtetin vendor për zbatimin e tij./TVKLAN/
.


















