Connect with us

Lajme

Tenderat/ Një tjetër kryebashkiak në shenjëstrën e PS-së?!

Published

on

Hetimet e SPAK mbi tenderat dhe arrestimet e kryera së fundmi të zyrtarëve të dyshuar për afera korruptive kanë ngritur besimin te drejtësia, por njëherësh dhe ngritjen e zërit të denoncimit të rasteve të dyshimta, shkruan Gazeta Shqip.

Prej ditësh deputeti i PS-së, Petro Koçi po denoncon dhe ngre alarmin se në bashkinë e Fierit njerëz të botës së krimit të kthyer biznesmenë legalë, po kërcënojnë dhe po përfitojnë tendera publik. Statusi më i fundit i Koçit lidhet me skemën se si personazhe të botës së krimit, që si biznesmenë po fitojnë me metoda nga më të ndryshmet tendera publikë në bashkinë e Fierit, duke mos dhënë emra konkret të biznesmenëve apo të zyrtarëve lokalë të implikuar.

“Efektet e SPAK dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat.  Reforma në Drejtësi është meritë shembullore e PS. Bota e krimit dhe të korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji. Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë fonde nga prokurimet publike”, shprehet Koçi në një status të fundit në rrjetet sociale.

Më tej Koçi, i cili ka drejtuar fushatën e PS-së për zgjedhjet parlamentare, në qarkun e Fierit, ka zbuluar dhe skemën se si këto të “fortë” me petkun e të ligjshmëve. “Këtë e realizojnë:  a- nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh;b-nëpërmjet kërcënimit të zyrtarëve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet; c- nëpërmjet eliminimit të konkurrentëve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit. Të fuqizuar sidomos duke larë paratë e pista në industrinë e ndërtimit ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona. Organet ligj zbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit te organizuar. Partia Socialiste nuk bën ASNJË HAP PAS në luftën ndaj së keqes”.

Edhe pse Koçi nuk flet me emrat konkret, këto shigjetime prekin edhe kryebashkiakun socialist të Fierit, Armando Subashin.Ai madje e ka mohuar se qëndrimet e tij publike tejet të ashpra mund të kenë lidhje me kryebashkiakun e Fierit, i zgjedhur prej disa mandatesh.

“Çdo interpretim tjetër që kërkon ta interpretojë si larje hesapesh apo gjueti shtrigash është lojë dashakeqe dhe pëdëiste. E gjithë shoqëria dhe institucionet ligjzbatuese duhet ta asfiksojnë dhe neutralizojnë zgjatjen e duarve të krimit drejt aseteve publike. Fenomeni dhe teknologjia e krimit duhet të mposhten nga fuqia e institucioneve, vullneti politik dhe ai mbareshoqeror. SPAK është i mirepritur!”, ishte reagimi radhës i Koçit, i cili mundohej të sqaronte pozicionin e tij karshi Subashit.

Partia Socialiste pësoi një tronditje jo të vogël sa i përket arrestimeve të fundit, ku në pranga ranë kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe dhe zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda.

“Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve”, do të ishte reagimi i kryeministrit Edi Rama, duke treguar kështu distancimin e menjëhershëm të PS-së me këto raste dhe afera korruptive.

Por Rama nuk është ndalur me kaq, ai mblodhi të gjithë kryetarët e bashkive, e më pas ministrat dhe drejtorët e institucioneve kryesore, duke i paralajmëruar se nuk do të kishte mbrojtjen e qeverisë apo të partisë në rast të abuzimit me tendera, madje njëherësh i bëri të ditur se në rast se vërehen shkelje me procedurat e prokurimeve publike, vetë kryeministri do të bënte padi në SPAK ndaj tyre./ Gazeta Shqip

NA NDIQ NË FACEBOOK

Advertisement
Click Here To Join Native Media

Portali Zyrtare u themelua nga një grup gazetarësh të rinjë në vitin 2018. Të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe të vërteta, në Maqedoni, ndër shqiptarë dhe për shqiptarët – Zyrtare nuk ishte veçse një kërkesë e kohës. Kontakt e-mail: [email protected]

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com