Lajme
Palmer thotë se liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë më konkretë në realizimin e objektivave

I Dërguari Special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, gjatë fjalës së tij në “Forumin e Prespës” u shpreh se liderët e rajonit duhet të jenë më konkretë në realizimin e objektivave ekonomike dhe politike.
Ai nënvizoi se mbështet nismat e BE-së për të përkrahur rajonin duke shprehur edhe zhgënjimin që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk mundën të nisnin negociatat me unionin.
“Duhet të marrin masa, duhet të ushtrojnë presion për të realizuar dhe zgjidhur çështjet politike në nivel të brendshëm dhe jashtë vendit për të fuqizuar demokracitë e tyre”, tha Palmer.
Në forumin e sotëm marrin pjesë edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq, presidenti i Sllovenisë Borut Pahor, kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Tema e diskutimit është “Ballkani Perëndimor, Puzzle i munguar për plotësimin e Evropës” dhe përqendrohet në nëntë pika, përfshirë rolin e BE-së në botë, demokracinë evropiane, vlerat, të drejtat, sundimin e ligjit, sigurinë, migrimin, ndryshimin eklimës, mjedisin dhe shëndetin./ Euronews Albania
.


















