Connect with us

Religjion

Mos ndoshta në namaz lidhemi me Zot tjetër që e formojmë në mendje pos Allahut!

Publikuar

Nëse llogarisim minutat që kalojmë për faljen e 5 kohëve namaz në ditë, mesatarisht kalojmë 45- 60 min. Brenda këtyre minutave duhet të paraqiten skena të ndryshme në sytë, mendjen, dhe zemrën e besimtarit, varësisht nga leximi i ajeteve të Kuranit si psh. ( Elhamdulilahi rabil alemin- Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botërave (Bota e mirësive të shumta), Ikre- lexo (bota e dijes), Jevmel Kijameh- dita e kjametit (shkatërrimi i gjërave dhe qëndrimi para Zotit për të dhënë llogari), Xhennet (kënaqësitë e pafundme për robërit e dashur të Zotit), Xhehenemm (vuajtjet e rënda për mosmirënjohësit ndaj Zotit) etj etj).

Krejt këto skena duhet të jenë mësim, ligjërata, emocione që duhet ta  mbushin besimtarin me iman, devotshmëri, ndërgjegje dhe turp.

60 minuta namaz duhet t’i llogarisim si minuta që mësojmë nga Allahu i Cili është i Gjithëdijshëm, Mbikëqyrës, Dëgjuesi dhe Shikuesi i çdo gjëje. Si rezultat i saj besimtarët nga namazi duhet të dalin të përmirësuar moralisht, emocionalisht dhe intelektualisht.

Atëherë,  ku qëndron problemi që ne ashtu sikur jemi para namazit, ashtu jemi edhe pas namazit, mos me thënë edhe më keq?! Nga namazi dalim dhe harrojmë se me cilin u takuam në namaz!

Subhanallah, si ka mundësi që ta konsiderojmë namazin takim me Allahun,  të themi se në sexhde afrohemi më shumë me Allahun, e mos ndryshojmë në gjendjen shpirtërore e morale. Mos ndoshta edhe në namazin që kryejmë lidhemi me ndonjë Zot tjetër që e formojmë në mendje pos Allahut, i cili na mëson mbrapsht!

Musa Biba

NA NDIQ NË FACEBOOK