Connect with us

Sport

John Terry largohet nga Aston Villa: Gati të jem trajner i parë!

Publikuar

John Terry largohet nga Aston Villa, ku ishte në rolin e ndihmësit të trajnerit të parë Dean Smith për tre sezonet e fundit. Ish-mbrojtësi legjendar i Chelsea-t dhe i përfaqësueses së “Tre Luanëve” po përgatitet të bëjë një hap përpara në karrierën e tij sepse, sikurse e shpjegon në një prononcim të fundit me mediet ishullore, ndihet gati për të qenë ai trajneri i parë i një skuadre të rëndësishme futbolli.

“Nëse rasti i duhur paraqitet tani, ndihem gati të përballem me një sfidë të tillë. Ishte nder dhe privilegj i madh t’i kaloja vitet e fundit tek Aston Villa, por tani e ndiej se është koha e duhur për të marrë vendimin jashtëzakonisht të vështirë për të shkuar më tej,” – tha ish-mbrojtësi në një shënim në faqen e klubit.

Terry më pas sqaron se pse e mori vendimin për t’u ndarë nga Aston Villa, ndërkohë që ende nuk ka diçka konkrete për të ardhmen.

“Sepse duhet të tregoj respekt për drejtuesit e Aston Villas dhe gjithë të tjerët që punojnë në këtë klub. Duke qenë se kam vendosur të hedh një tjetër hap në karrierë, mendova të tërhiqem, sepse nuk mund të nisja sezonin tek Aston Villa dhe më pas të largohesha për një ofertë serioze, pra pa qenë i sigurt që do ta përfundoja. Plani im, për momentin, është të kaloj ca kohë me familjen time, duke shpresuar se do të marr oferta marr disa ftesa për të vizituar klube dhe trajnerë në të gjithë Evropën për të zhvilluar qëllimin tim për t’u bërë një trajner “.

Ndërsa trajneri Smith tha: “Ndihem keq për humbjen e Johnit si pjesë të stafit tim, por e kuptoj plotësisht vendimin e tij. Nuk kam asnjë dyshim se do të bëhet një trajner i klasit të parë”.