Connect with us

Religjion

EDUKATA DHE SJELLJA E MIRË

Published

on

Falënderimi i qoftë Allahut ashtu siç meriton vetëm Ai. Dëshmojmë dhe vërtetojmë për Njësinë e tij të pashoqe. Ai nuk është i nevojshëm për ibadetin e njerëzve dhe Atë aspak nuk e dëmtojnë mëkatet e tyre.

Po ashtu dëshmojmë për pejgamberinë e Muhamedit (savs), i cili na ka mësuar si duhet ta bëjmë ibadetin vetëm për Zotin dhe na ka udhëzuar për takvallëk e devotshmëri. Andaj, i dërgojmë përshëndetje dhe salavate të panumërta atij, familjes, shokëve të tij dhe çdonjërit që i përmbahet thirrjes së tij.

Vëllezër besimtarë!

Edukata dhe sjellja e mirë janë disa nga themelet kryesore mbi të cilat e ndërtohet feja fisnike, Islami. Muslimanët e kanë për detyrë që të sillën jashtëzakonisht bukur dhe me korrektësi ndaj të gjithë njerëzve, por edhe ndaj të gjitha krijesave të Allahut, e sidomos ndaj prindërve, të afërmve, fqinjëve dhe ndaj miqve. Kur është fjala për prindërit, i Dërguari i Allahut (savs), ka thënë: „Ndër format më të mira të bamirësisë ndaj prindërve numërohet vizita e atyre me të cilët babai është shoqëruar.“ (Muslimi)

Nëse vizita e shokëve të babait është një nga format më të mira të bamirësisë ndaj tij, të imagjinojmë atëherë se çfarë bamirësie është nëse e vizitojmë dhe kujdesemi për babain derisa është gjallë, dhe pastaj çfarë për nënën e cila në këtë drejtim është tri herë para babait? Gjithashtu, kur ju ndihmojmë dhe kujdesemi për vëllezërit e motrat, dhe ju ofrojmë mbështetje shpirtërore dhe materiale, janë lloje të edukatës dhe bamirësisë. Njeriut i cili e kishte pyetur se kujt t’ia japë sadakën, Pejgamberi (savs), i kishte thënë: „Dora e atij që ndan dhe jep është më e mirë (se ajo që merr). Me ndarjen e sadakës fillo nga ata që i ke më të afërt: nëna, babai, motra, vëllai, dhe pastaj nga ata që i ke më të afërt pas tyre.“ (Ahmedi)

Pastaj, krejt farefisi, të afërmit dhe të largëtit, kanë të drejtë për sjelljen tonë të mirë ndaj tyre. Që tu ndihmojmë materialisht, që t’i vizitojmë, tu japim selam …, këto janë vetëm disa nga aspekte të bamirësisë të cilën e meritojnë. Allahu i Madhërishëm thotë:
“Të pyesin ty në çfarë mënyre duhet dhënë lëmoshë? Thuaju: “Çfarëdo lëmoshe të mirë që epni ajo le t’i takojë prindërve, farefisit, bonjakëve, të varfërve dhe udhëtarëve (që kanë ngelur në rrugë pa mjete), e çfarëdo të mire që bëni, Allahu e di atë.” (el-Bekare, 215)

Gjithashtu, duke folur për vlerën e ndarjes së sadakës për të afërmit, i Dërguari (savs), ka thënë: „Sadaka e cila i ndahet të varfrit është vetëm sadakë, ndërsa sadaka e cila i jepet të afërmit (të varfër), është edhe sadakë edhe aspekt i bashkimit të lidhjeve familjare.“ (Tirmidhiu)

Edhe bashkëshortet tona meritojnë që të trajtohen në mënyrën më të bukur përmes të folurit të bukur, të veprimeve të bukura dhe sjelljes së mëshirshme dhe tolerante. Allahu i Madhërishëm thotë:
O besimtarë! – nuk ju lejohet të bëheni në mënyrë të dhunshme trashëgimtarë të grave dhe mos i pengoni ato me qëllim që t’ua merrni një pjesë nga dhuratat që ua keni dhënë, vetëm nëse bëjnë gabime sheshazi. Silluni mirë me to! Në qoftë se ato nuk ju pëlqejnë aq shumë (duroni) sepse është e mundur që juve diçka të mos u pëlqejë, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira.” (En-Nisa, 19)

I Dërguari i Allahut (savs), në kontekstin e sjelljeve të bukura ndaj bashkëshorteve ka thënë: „Më të mirët në mesin tuaj janë ata që janë më të mirë ndaj bashkëshorteve të tyre, ndërsa unë midis të gjithë juve jam më i mirë ndaj bashkëshorteve të mia.“ (Tirmidhiu)

Edhe fqinjët e meritojnë marrëdhënie të mira dhe të respektueshme. I Dërguari i Allahut (savs), ka thënë: „Xhibrili më ka porositur bamirësinë ndaj fqinjëve deri në atë masë sa që unë mendova se do ta vendosë në radhën e trashëgimtarëve (të pasurisë).“ (Muttefekun alejhi)

Të varfrit dhe të pafuqishmit kanë të drejtë në ndihmën dhe mbështetjen tonë. I Dërguari i Allahut (savs), ka thënë: “Ai i cili përpiqet tu ndihmojë të vejave dhe të varfërve do të jetë në nivelin e muxhahidit në rrugën e Allahut, ose të atij që fal namaz nate ose të atij që ditën agjëron.” (Muttefekun alejhi)

Të moshuarve dhe atyre me aftësi të kufizuara duhet kushtuar kujdes dhe dashamirësi. I Dërguari i Allahut (savs), ka thënë: “Ndër format e lartësimit të Allahut të Madhërishëm numërohet edhe shprehja e nderimit ndaj muslimanit të thinjur (plak).” (Ebu Davudi)

Nëse çdo njërit i jepet e drejta dhe respekti që e meriton, edhe kjo është një formë e edukatës dhe sjelljes së mirë. Ka thënë Pejgamberi (savs): “Nuk i takon (në mënyrë të mirëfilltë) umetit tim ai i cili nuk i respekton pleqtë, ai i cili nuk ka mëshirë ndaj të rinjve dhe ai i cili dijetarëve tanë nuk ua jep të drejtën e tyre.” (Ahmedi)

Kur e pushtoi Mekën, Pejgamberi (savs) i bëri nder Ebu Sufjanit, i cili deri atëherë ishte armik i përbetuar i Islamit dhe muslimanëve, në atë mënyrë që çdo banor i Mekës i cili hyn në pronën e Ebu Sufjanit, ia garantoi sigurinë. Kështu ka vepruar për shkak të faktit se Ebu Sufjani ishte banor me famë të lartë dhe qytetar i respektuar i Mekës, të cilin të gjithë e respektonin, andaj edhe Pejgamberi (savs), deshi t’i tregojë respekt, sepse qëllimi i tij final ishte përfitimi i zemrës së Ebu Sufjanit për Islam, të cilën në fund edhe e arriti.

Dijetarët e umetit i kanë të drejtat e tyre tek ne, e këtu mes tjerash bën pjesë që t’i vlerësojmë, t’i dëgjojmë këshillat dhe udhëzimet e tyre, që në asnjë mënyrë mos t’i përqeshim as mos t’i nënçmojmë, gjë që për fat të keq, kohët e fundit është bërë një lloj trendi në mesin e disa të rinjve mendjelehtë, të cilët kryesisht janë injorantë dhe të paarsimuar fetarisht, të cilëve ua trasojnë rrugën emocionet dhe pasionet, e jo përvoja dhe dituria e duhur. Shumë kohë më parë është thënë se mishi i dijetarëve islamë është i helmuar, andaj ai që i lejon vetes duke shpifur dhe nënçmuar “të hajë”, i tilli pashmangshëm do të sprovohet me vdekjen e zemrës dhe me mashtrim e shkatërrim në këtë botë dhe me dënim në botën tjetër.

Edhe udhëheqësit dhe prijësit tanë meritojnë qëndrim respektues dhe sjellje të mirë, dhe kjo kryesisht bëhet me këshillë të sinqertë kur të gabojnë dhe duke u treguar për efektet e dëmshme të padrejtësisë dhe sjelljes së keqe ndaj Allahut dhe robërve të Tij.

I lutemi Allahut të Madhërishëm që të na bëjë prej atyre të cilët sillen mirë ndaj të gjithëve që na rrethojnë dhe të bëhemi shembull i shkëlqyer i muslimanëve të vërtetë, të cilët me veprat e tyre dëshmojnë Njëshmërinë e Allahut dhe ndjekjen e përpiktë të Muhamedit (savs)

Përshtati: Miftar Ajdini

Click Here To Join Native Media
Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com