Connect with us

Religjion

40 vite e bëri haxhin, e Allahu nuk ia pranoi!

Published

on

/Tregim nga një ngjarje e vërtetë/

Një ndodhi e cila është e dobishme si për ata të cilët shkojnë në haxh, si për ata të cilët nuk shkojnë në haxh.

Një ndodhi e cila rrallë herë përsërite, dhe e lusim Allahun e Plotfuqishëm që të mos përsëritet, e nëse përsëritet, të përfundojë ashtu siç përfundoi kjo ndodhi.

Ishte një dijetar, i cili quhej Malik ibn Dinar. Ky dijetar shkoi në haxhillëk për ta kryer haxhin. Ishte prej njerëzve më të devotshëm në Irak. Kur shkoi në haxh, kur i pa gjithë ata njerëz duke i bërë sexhde Allahut të Plotfuqishëm, gjithë ata njerëz duke i bërë lutje dhe duke ia drejtuar Allahut të Plotfuqishëm, ai tha vetë më vete:

“O Zot, e gjithë kjo madhështi në këtë vend! O Zot, a thua ka ndonjë njeri, të cilit nuk ia ke pranuar haxhin?! A ka mundësi, që ndonjë njeriu të mos i pranohet haxhi në këtë vend kaq madhështor dhe në këto momente kaq madhështore!?”

Në atë natë, kur ra në gjumë, e dëgjoi një zë duke i thënë:

“O Malik ibn Dinar, Allahu i Plotfuqishëm ua ka pranuar haxhin të gjithëve, të bardhëve dhe të zinjve, arabëve dhe joarabëve, të vegjëlve dhe të mëdhenjve, mirëpo, vetëm një personi nuk ia ka pranuar haxhin!”

Tha: ‘Kur e dëgjova këtë gjë, u ngrita nga gjumi i shqetësuar dhe nuk dija se çka të bëja. Mendoja se mos isha unë ai personi. Ajo ditë ka qenë dita më e tmerrshme në jetën time. Derisa ka ra mbrëmja dhe nga lodhja e atij tmerri, më zuri gjumi. Përsëri më erdhi ai zëri dhe më tha: “Allahu ia ka pranuar çdo personi haxhin, përveç një personi, dhe ai person është Muhamed ibn Harun el-Belhij!’

Dhe në ato momente, nga ky trishtim më doli gjumi përsëri, u ngrita, dhe me të shpejt u nisa për ta gjetur këtë fis, fisin el-Belh. Shkova atje dhe po pyesja, se a e njohin Muhamed ibn Harunin?!

Ata thanë: ‘Po çka ju duhet juve ai.’

Thashë: ‘Dëshiroj të takohem me të.’

Më thanë: ‘Vallahi, do të takohesh me njeriun, i cili është ibadetxhiu më i madh në mesin tonë!’

Subhanallah! Nuk po ju besoja veshëve të mi! Si ka mundësi, që një njeri të jetë kaq ibadetxhi, dhe Zoti të mos ia ketë pranuar haxhin!?

Dhe pastaj më drejtuan për tek ai, dhe kur shkova, e gjeta në sexhde, kurse sexhadja ishte e lagur me lot. U ngrit prej sexhdes, kurse unë u çudita që ai e kishte një dorë të varur në qafën e tij!

Thashë: ‘Subhanallah! Çka është puna e këtij njeriu! A është çmendur, apo çka është puna, ky të jetë ibadetxhiu më i madh!

Dhe pasi dha selam, u kthye dhe më përshëndeti. Edhe unë e përshëndeta dhe i thashë: ‘Unë jam Malik ibn Dinari, kam ardhë me ta dhënë një lajm.’

Tha: ‘O Malik ibn Dinar, a ke ardhë të ma japësh lajmin që Allahu nuk ma ka pranuar mua haxhin!?’

Thashë: Po.

Tha: ‘O Malik ibn Dinar, a e din se 40 vjet e bëj haxhin, dhe qe 40 vjet, në secilin vjet vjen një person dhe më thotë: ‘Allahu nuk ta ka pranuar haxhin!

Thashë: ‘Po mirë o i mjerë, më trego çka ke bërë që Allahu nuk po ta pranon haxhin!?

Tha: ‘Më mirë mos ta dëgjosh!’

I thashë: ‘Të lutem, pashë Allahun, më trego!’

Tha: ‘Dëgjoje, pasi u betove në Allahun. Tha: ‘Ka qenë një natë e ramazanit, nata e parë e ramazanit, fundi i muajt shaban, dhe nëna ime ishte duke përgatitur darkën, e kishte ndezur furrën fortë. Dhe unë erdha në shtëpi i dehur. Kur hyra në shtëpi, nuk mund ta mbaja veten, herë shkoja në të djathtë, e herë në të majtë, dhe më doli nëna përpara, dhe më tha: Çka është puna me ty, o Muhamed!? Të gjithë njerëzit do të dalin agjërueshëm me ibadet para Allahut, kurse ti do të dalësh i dehur, a nuk ke turp!? A nuk ke frikë?!

Tha: ‘Në ato momente nuk munda më shumë t’i dëgjoja fjalët e nënës, e kam kapur dhe e kam shtyrë, e pastaj kam hyrë në dhomën time… Pas një kohe, erdhi dhe ma mbylli derën gruaja ime, kurse mua më zuri gjumi nga dehja.

Kur më doli gjumi, desha ta hapi derën, por ajo nuk hapej, dhe fillova ta godasë derën, kurse gruaja ime më tha: ‘Vallahi, ti e meriton që deri në Ditën e gjykimit të mbesësh aty i mbyllur!

Pse?? Çka kam bërë? Tha: Kur e hapa derën e pashë se nëna ime ishte bërë shkrumb, ishte bërë zi nga zjarri, nënën time e kisha hedhur në zjarr!!!

Vëllezër të dashur!

Ky e hodhi nënën e tij të gjallë në zjarr!

Mirëpo, sa prej neve ua djegim zemrat nënave tona për së gjalli?!

Sa prej neve nuk i shikojmë veprat tona se çka po veprojmë, fjalët tona, se çka po flasim dhe sjelljet tona se si po sillemi?

Tha: ‘Në ato momente s’kam ditur se çka të bëj, dhe atë dorën me të cilën e kam shtyrë nënën time,  e kam futur te korniza e derës dhe me gjithë fuqinë time që kam pasur e kam shtyrë derën derisa dora ime mu këput! Dhe prej asaj dite, e kam varë në qafën time, që të jetë përkujtim për veprën më të keqe që kam bërë mbi sipërfaqen e Tokës!

Për çdo ditë nuk lë namaz pa falë, për çdo vit nuk lë agjërim pa agjëruar, për çdo vit nuk lë haxhillëk pa shkuar, edhe prapë për 40 vjet, vjen nga një njeri dhe më thotë: ‘Haxhi nuk të është pranuar.’

O vëllezër,

Ju po çuditeni se pse Allahu nuk ia ka falë, nuk ia ka pranuar haxhin, ndërsa unë po çuditem nga këmbëngulja e tij për të trokitur në derën e Allahut, sepse, nëse dera e Allahut nuk do të hapet, të gjitha dyert tona do të jenë të mbyllura!

Malik ibn Dinari tha: ‘Kur e dëgjova këtë gjë, i thashë: ‘O i mjerë, nga ky gjynah që ke bërë, paske qenë duke e djegur gjithë Tokën, e jo vetëm nënën tënde! Edhe po shpreson faljen e Allahut!’ Pastaj kam ikur me të shpejtë!

Atë natë e pashë në ëndërr, prapë të njëjtin zë: “O Malik ibn Dinar! Mos ua këput njerëzve shpresën nga falja e Allahut të Plotfuqishëm, sepse Allahu është i Gjithëmëshirshëm, dhe Ai ia ka pranuar pendimin e Muhamed ibn Harun el-Belhit!”

Tha: ‘Kur jam zgjuar në atë moment gëzimi, kam vrapuar drejt e tek ai, dhe i kam thënë: ‘Myzhde, Allahu ta ka pranuar haxhin!’

Tha: Në ato momente, nga gëzimi nuk dinte se çka të bënte, vetëm tha: El-hamdu lil-lah, o Zot, dhe ra për Tokë dhe nuk nxori frymë!

Tha: Unë kam qenë prej atyre që e kam përcjellë xhenazen e këtij ibadetxhiu dhe e kam varrosur!”

Përshtati: Miftar Ajdini

Referencë: Ligjërata: „40 vite e bëri Haxhin e Allahu nuk ia pranoi“;  Hoxhë Rijad Imeri;

Click Here To Join Native Media

Portali Zyrtare u themelua nga një grup gazetarësh të rinjë në vitin 2018. Të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe të vërteta, në Maqedoni, ndër shqiptarë dhe për shqiptarët – Zyrtare nuk ishte veçse një kërkesë e kohës. Kontakt e-mail: [email protected]

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com