Connect with us

Lajme

Zgjedhjet lokale nuk do të shtyhen

Publikuar

më

Nuk do ketë shtyrje të zgjedhjeve lokale pavarësisht anulimit të tenderit të parë për furnizim të terminaleve për leximin e të dhënave biometrike të qytetarëve, ka deklaruar kreu i KSHZ-së Aleksandar Dashtevski. Tenderi i parë është anuluar nga ana e Byrosë për furnizime publike, ndërkaq Dashtevski ka informuar se tenderi i dytë është publikuar dje.

Tenderi do të kryhet deri në fund të këtij muaji dhe nuk do ketë asnjë shtyrje të zgjedhjeve lokale sepse afati është fleksibël – gjysma e dytë e tetorit. Ne do ta njoftojmë kryetarin e Kuvendit kur do jemi të gatshëm – tha Aleksandar Dashtevski, Kryetar i KSHZ-së.

Në seancën e sotme, KSHZ filloi zgjedhjen e anëtarëve të komisioneve zgjedhore komunale për zgjedhjet lokale.

Në komunat ku jetojnë së paku 20% të qytetarëve që i përkasin bashkësive të tjera etnike, sipas përfaqësimit të drejtë të bashkësive gjatë zgjedhjes së komisioneve komunale zgjedhore zgjidhen 2 anëtarë. Në komunat ku jetojnë nga 50 deri në 70% qytetarë që i përkasin bashkësive tjera në komisionet komunale zgjedhore zgjidhen 3 anëtarë nga ato bashkësi etnike. Në komunat ku jetojnë mbi 70% të qytetarëve nga bashkësitë tjera, zbatohet parimi i përfaqësimit të drejtë gjatë zgjedhjes së komisioneve komunale në atë komunë zgjidhen 4 anëtarë – deklaroi Ditmire Shehu, KSHZ.

Anëtarët e KSHZ-së thanë se iu duhet më shumë kohë për përgatitjen e zgjedhjeve lokale, por se deri në gjysmën e dytë të tetorit gjithçka do jetë gati./ALSAT

.

NA NDIQ NË FACEBOOK