Në letrën e tij, kreu i qeverisë së futbollit ndërkombëtar shprehet se ky titull për ekipin e Teutës vjen si rezultat i një pune të palodhur, pasionit dhe përkushtimit, ndërsa inkurajon skuadrën të vazhdojë të punojë me të njëjtën vendosmëri.
Më poshtë letra që i ka dërguar Gianni Infantino, Presidentit Duka:
“I dashur President,
Më lejoni të uroj ekipin e Teutës për kurorëzimin si kampione e Shqipërisë për edicionin 2020-2021.
Ky titull vjen pa dyshim si rezultat i punës së palodhur, pasionit dhe përkushtimit dhe çdokush në klub duhet të ndihet krenar për këtë arritje të rëndësishme. Do t’ju isha mirënjohës nëse do t’ia shprehnit urimet e mia çdokujt që ka qenë i përfshirë, të cilët i inkurajoj të vazhdojnë të punojnë me shpirtin e skuadrës, pasion dhe vendosmëri.
Në emër të komunitetit ndërkombëtar të futbollit, përfitoj nga rasti për t’ju falënderuar juve dhe Federatën tuaj për kontributin tuaj në zhvillimin dhe prosperitetin e futbollit në Shqipëri, rajonin tuaj dhe në botë.
Pres të shihemi së shpejti,
Juaji sinqerisht,
Gianni Infantino”
























