Connect with us

Lajme

Përgjigjet MPB, ja kur pritet të fillojë dhënia e targave për automjetet

Publikuar

Prej disa javësh e ndoshta muajsh Maqedonia e Veriut po përballet me mungesën e targave për regjistrimin e automjeteve. Qytetarë të shumtë ankoheshin se nuk mund t’i regjistrojnë automjetet e tyre, sidomos ato të sjellura nga jashtë shtetit. Kjo krijoi një kaos edhe në biznesin e shitjes së atuomjeteve. Vonesat u shkaktuan pasi kompanisë së mëparshme për prodhimin e targave i kishte kaluar kontrata e lidhur me MPB-në, ndërsa vonesat në lidhjen e kontratës së re pas furnizimit publik ishte vonuar, shkruan in7.

Më në fund nga Ministria për Punë të Brendshme u deklaruan në lidhje me këtë problematikë. Në pyetjen e dërguar nga in7 para disa ditëve, nga kjo ministri u përgjigjën sot. Sipas tyre, vonesat e shkaktuara ishin si pasojë e mbarimit të kontratës së vjetër, ndërsa zgjidhja e problemit duket të jetë drejt fundit. Nga MPB sqarojnë se tashmë është lidhur kontratë e re me kompani tjetër dhe se në periudhën që pason do të fillojnë porositë për targat e automjeteve. MPB pret normalizim të situatës brenda pak kohe.

“Vonesat në dhënien e targave të automjeteve ishte për shkak përfundimit të kontratës me operatorin e mëparshëm ekonomik. Ky problem tanimë është zgjidhur, pasiqë në ndërkohë MPB zbatoi procedurë të re dhe në pajtim me marrëveshjen e hapur kornizë për furnizim me targa të regjistrimit të mjeteve motorike, pas zbatimit të aukcionit elektronik dhe pas kalimit të afateve për ankesa më 17 Qershor 2021, është lidhur Marrëveshje kornizë me operatorin ekonomik Kuantum Shkup.
Me nënshkrimin e Marrëveshjes kornizë, në periudhën e ardhshme do të pasojnë porositë aktuale të të gjitha shembujve të targave regjitruese për të cilat bëhen kontrata të veçanta për porosi. Me këtë presim normalizim të situatës me dhënien e targave në periudhën që vjen”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për in7.

Për vonesat dhe kaosin e shkaktuar nga këto vonesa të targave, reaguan ashpër edhe nga Opozita Shqiptare. Nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa duke e quajtur Maqedoninë sei vendi më tragi-komik në botë.

“Maqedonia e Veriut po bëhet shteti më tragjikomik në botë. Qeveria aktuale dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) po bëhen gazi i botës dhe tmerr për qytetarët. Tani e disa javë, MPB nuk ka pasaporta për qytetarët, ndërsa gjithë botën e ka njoftuar se shtetasit tanë do të lëvizin me pasaporta të skaduara. Po bëhen tre muaj që e njëjta ministri nuk ka as targa për veturat që po regjistrohen. E për të mos mjaftuar kjo, ministria nuk ka as ekzemplarë për të shtypur patenta të shoferëve dhe të gjithë qytetarëve që aplikojnë ju jepet një vërtetim në letër. Ditëve të fundit vijnë informacione se në disa shkolla nuk ka as dëftesa për nxënësit. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ishte shteti i vetëm që në këtë periudhë për afat prej dy ose tri ditëve ka pajisur me çdo lloj dokumenti kriminelët më të mëdhenj dhe krerët e mafias nga rajoni dhe bota. Por, problemi nuk përfundon me kaq.  Tani parashikohet të fillojë golgotë e vërtetë. Në javët në vijim pritet të arrijnë mërgimtarët, ku siç tanimë është raportuar, shumica prej tyre kanë dokumente të skaduara. Sikur në shumë raste edhe kësaj here, nga paaftësia e institucioneve, mërgimtarëve nuk u janë rinovuar dokumentet në ambasada. Tani edhe në vendlindje ata do të përballen me mungesë të dokumenteve, pajisjeve dhe me rënien e famshme të sistemit. Për këtë po ju paralajmërojmë që tani dhe do t’ju rikujtojmë kur të vijë dita. Mos thoni se fluksi ju zuri në befasi, por pranojeni se jeni të paaftë dhe të korruptuar dhe se jeni vetëm në shërbim të kriminelëve”, thuhej në reagimin e Opozitës Shqiptare./in7.tv/