Connect with us

Shëndetësi

Pas 20 vjetësh, Amerika miraton ilaç të ri për Alzheimer

Publikuar

Agjencia e Ushqimit dhe Barnave në Amerikë (FDA) e ka miratuar përdorimin e ilaçit eksperimental aducanumab për trajtimin e fazave të hershme të sëmundjes Alzheimer – edhepse një komitet këshillues në këtë agjenci kishte ardhë në përfundim vitin e kaluar se nuk ka prova të mjaftueshme për ta mbështetur efikasitetin e këtij trajtimi.

Ilaçi u krijua për pacientët me dëmtime të lehta, jo për ata me dementia (harresë) të rëndë derisa po synohet të ngadalësojë progresin e sëmundjes – jo thjesht lehtësimin e simptomave.

FDA nuk e ka aprovuar një terapi të re për sëmundjen e Alzheimerit që nga viti 2003, shkruan CNN, përcjell Klankosova.tv.

Kjo agjenci e ka aprovuar ilaçin aducanumab, që ndryshe njihet edhe si Aduhelm, duke e përdorur programin “për miratim të përshpejtuar” që lejon miratimin e një ilaçi për një sëmundje kërcënuese për vdekje edhepse mund të nevojiten më shumë studime për përfitimet e tij.

Dr. Patrizia Cavazzoni, drejtoreshë e Qendrës së FDA për Vlerësimin e Barnave, ka theksuar se përfitimet e ilaçit kanë tejkaluar rreziqet e terapisë.

“Ka pasur një debat të konsiderueshëm publik nëse aducanumab duhet të miratohet. Siç ndodh shpesh kur bëhet fjalë për interpretimin e të dhënave shkencore, komuniteti i ekspertëve ka ofruar perspektiva të ndryshme”, ka thënë ajo.

Nën aprovimin e përshpejtuar, ilaçi aducanumab do të studiohet ende. Me këtë program kompanive farmaceutike iu kërkohet të kryejnë “studime pas miratimit” për të verifikuar që trajtimet kanë përfitime klinike. Nëse prova aprovuese nuk e verifikon përfitimin e ilaçit, atëherë FDA mund ta heqë ilaçin nga tregu.

Ndërsa, personave që vuajnë nga sëmundja e Alzheimerit dhe familjarëve të tyre ky ilaç iu ka dhënë shpresë.

 

 

 

 

The post Pas 20 vjetësh, Amerika miraton ilaç të ri për Alzheimer appeared first on Klan Kosova.

NA NDIQ NË FACEBOOK