Lajme
Nga 1 korriku lejohen dasmat me 250 dasmorë në ambiente të mbyllura

Dasmat tashmë mund të organizohen edhe në ambient të mbyllur. Qeveria në seancën e fundit ka vendosur që të lejojë organizim të dasmave në ambient të mbyllur deri në 250 persona, por jo më shumë se 40% të kapacitetit të hapësirës. Për këtë bëri me dije ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Ministria e Ekonomisë
“Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria sot solli vendim që nga 1 korriku 2021 të organizohen dasma edhe në ambiente të mbyllura me maksimum 250 persona, por jo më shumë se 40% të kapacitetit të hapësirës”.
Përndryshe edhe më 1 qershor u lehtësuan disa masa ku Shtabi Kryesor Koordinues pranoi rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive për shfuqizimin e masës për mbajtje të maskës në ambient të hapur. Megjithatë mbeti në fuqi masa për mbajtje të maskës në transport publik, taksi dhe në të gjitha hapësirat e mbyllura. Gjithashtu, u shfuqizua masa për ndalesë të grupimit në hapësirë publike të më shumë se 4 personave. Ndërsa u lejua organizimi i dasmave, ahengjeve dhe festave në hapësira të hapura/terasa deri në maksimum 1.000 person, por jo më shumë se 50% të kapacitetit të hapësirës. Po ashtu në këtë propozim u përfshi që në tryezë të jenë maksimum gjashtë persona dhe të mbahet distanca.
Ndërsa më 16 qershor, plotësisht u hiq ora policore, dhe së bashku me të u hoq kufizimi nga maksimum 100 mysafir në dasma dhe ahengje dhe u lejua organizimi i ngjarjeve, koncerteve dhe ahengje në klube nate dhe lokale, vetëm në ambient të hapur, me kapacitet prej maksimum 50% të objektit dhe jo më shumë se 1000 persona.
/SHENJA/



















