Religjion
Magjia e pushtetit nën prizmin e Kur’anit

Hfz. Ammar Bašić
Kur’ani është shpallja e fundit e Zotit të cilën nuk duhet ta kuptojmë vetëm si një përmbledhje të dispozitave formale, zbulimeve shkencore ose si një libër tregimesh për popujt e mëparshëm. Kur’ani duhet të na sensibilizojë që të kuptojmë mesazhet kuranore dhe me fuqinë e Fjalës së Zotit të ndryshojmë gjendjen tonë individuale dhe shoqërore. Sikur miqtë që zbulojnë të fshehtat e tyre edhe Kur’ani fshehtësitë e tij ua zbulon atyre që janë të afërt me të. Nëse Zoti ka thënë se në këtë libër “nuk kemi lënë asgjë mangët”, atëherë duhet të nisemi në kërkim të përgjigjeve.
Pejgamberi, për të cilin më së shumti flet Kur’ani, është Musa a.s. Rreth 600 ajete, pra një e dhjeta e Kur’anit, trajtojnë ngjarje nga jeta e këtij pejgamberi!
Nga rrëfimet për Musën a.s. ka një detaj, të cilin, ata që lexojnë Kur’anin, patjetër do ta vërejnë, ndërsa fjala është përsëritja e dialogut mes Musait a.s. dhe faraonit, përmes disa formave dhe sureve. Përse?
Sepse flet për një rend të vazhdueshëm të padrejtësisë në historinë e njerëzimit.
Ky tregim ka pesë aktorë:
AKTORI i parë është sundimtar zullumqar, i cili konsideron se gjithçka që është në tokë dhe nën të, është e tij, siç ishte faraoni: “Ndërsa, faraoni thirri popullin e vet e tha: “O populli im, a nuk është i imi pushteti i Egjiptit (i Misirit) dhe i këtyre lumenjve që rrjedhin nën pallatin tim, a nuk po shihni?” Pra, unë jam më i mirë se ky qyqar që mezi flet! Përse nuk i janë vënë atij bylyzykë nga ari, ose të kenë ardhur bashkë me të engjëjt shoqërues? Dhe ashtu ai e frikësoi popullin e vet, e ata e respektuan, por ata ishin vërtet popull i shkatërruar.” (Zuhruf, 51 – 54)
Nga këto ajete konkludojmë se karakteristikat e një sundimtari zullumqar janë:
– Bindja se pushteti është ai që e ndjek dhe e meriton vetvetiu. Në fakt pushteti është brengë dhe përgjegjësi, e jo krenari. Ai është sprovë, jo begati. I vetmi rast kur pushteti është begati është kur sundimtari është shërbëtor i Zotit dhe ata që i udhëheq janë të kënaqur me vendimet dhe punët e tij.
– Ndjenja false se është më i mirë dhe më i vlefshëm se njerëzit e tjerë. Arsyeja se pse njeriu kur vjen në pushtet fillon ta shikojë interesin dhe egon personale dhe bën zullume, është se ai e humb vetëdijen për Krijuesin dhe krijesat e Tij. Të harruarit e All-llahut çon drejt mendjemadhësisë dhe me këtë edhe mohon, nënçmon dhe nuk i kryen nevojat e qenieve tjera të Zotit.
– Kriteret materiale në arsyetimin e gjerave. Faraoni konsideron se është më i mirë se Musai a.s. sepse ka flori rreth duarve. Sa pushtetarë ka që e konsiderojnë nënçmim të ulen me njerëzit e thjeshtë dhe të dëgjojnë hallet dhe problemet e tyre, ndërsa në anën tjetër ata që mbajnë flori rreth duarve bëhen miqtë e tij. Nuk është problematike që sundimtari të ketë pasuri, mirëpo problem paraqet kur pasuria bëhet standard me të cilin i dallon njerëzit.
– Arsyetimi i veprimeve të tij duke mohuar gajbin (të fshehtën). Faraoni kërkon të shoh engjëjt e jo njeriun. Kjo ikje nga përgjegjësia është e njëjtë me rastin kur dikush bën zullum dhe e bind veten se vepron drejtë sepse “Zoti nuk e dënon dhe gjithçka i shkon mirë.”
Kurani nëpërmjet këtyre ajeteve na flet edhe për përgjegjësinë e popullit që pranon një sundimtar të këtillë duke i quajtur “popull shkatërrues” . Gjithsesi, populli nuk është përgjegjës për zullumet e sundimtarit, por është përgjegjës nëse mbështet përsëri një zullumqar të tillë. Duke ndryshuar vetëdijen e popullit, ndryshojmë edhe sundimtarët e tyre.
AKTORI i dytë është veziri – ministri i tij, i cili pa asnjë mëdyshje do të zbatojë të gjitha vendimet e sundimtarit, sido qofshin ato. Në këtë rrëfim ai është Hamani, arkitekti i cili me urdhër të faraonit bëri “kullën për ta arritur Zotin e Musait.” Ai ishte arkitekti më i aftë i faraonit, mirëpo nuk e kishte ndoshta karakteristikën më të rëndësishme për ndryshim – Guximin!
I TRETI është pasaniku, i cili pasurinë e tij do ta vendos në shërbim të sundimtarit për ta shtyp popullin dhe në kurriz të tij të pasurohet. Në këtë rrëfim ai është Karuni, i cili përshkruhet aq i pasur sa që çelësat e thesarit të tij është dashur t’i bartin më shumë njerëz.
I KATËRTI është njeriu i ditur i cili “arsyeton” të gjitha veprimet e sundimtarit dhe vërteton se të njëjtat vendime janë në harmoni me tekstet e shenjta. Në këtë rrëfim ata janë magjistarët apo sihirbazët, para se t’i bien në sexhde All-llahut.
Dhe i PESTI janë mediat (gazetarët, analistët,) të cilët flasin dhe thonë vetëm atë që është në interes të sundimtarit. Shembull i këtyre janë Hashirunët, ata që tubonin masën dhe i urdhëronin të aplaudojnë vetëm magjistarët e faraonit duke mos u dhënë mundësin që vetë ta dallojnë të vërtetën nga gënjeshtra.
Këtë rrëfim Kur’ani e përsërit si paradigmë negative ku do të bazohen shumica e shoqërive deri në Ditën e Kijametit. Në fillim të sures Kasas, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Këto janë ajetet e librit (të Kur’anit) të plotkuptueshëm. Që po t’i lexojmë ty nga lajmi rreth Musait e faraonit, e që është e vërtetë për një popull që beson. Me të vërtetë, faraoni ka ngritur kokën lart në tokë, e popullin e saj e grupëzuar dhe një grup prej tyre e shtyp, ashtu që djemtë e tyre ua mbyt, e gratë e tyre ua lë të jetojnë. Vërtet, ai ishte prej më shkatërrimtarëve. E Ne duam t’i lartësojmë ata që u shtypën në tokë, t’i bëjmë udhëheqës dhe t’i bëjmë trashëgues. Dhe atyre t’u japim pushtet në tokë, e faraonit, Hamanit dhe ushtrisë së këtyre të dyve t’ua tregojmë atë që i ruheshin (ia kishin frikën).”
Këtu duhet të nënvizojmë fjalët “E Ne duam t’i lartësojmë ata që u shtypën në tokë…” Ku, edhe pse në kontekst flitet për faraonin dhe Musaun a.s., All-llahu kësaj lufte i jep karakter absolut, universal, karakter që nuk kufizohet vetëm tek Beni Israilët nga ku doli Musai a.s.
Kur në një shoqëri sundimtari ka për qëllim vetëm qëndrimin në pushtet e jo punën për të mirën e përgjithshme; kur në një shoqëri bashkëpunëtorët janë të gatshëm të bëjnë gjithçka që thotë sundimtari vetëm të qëndrojnë në pozita; kur të pasurit në një shoqëri mendojnë vetëm të shtojnë kapitalin e tyre; kur dijetarët e një shoqërie nuk përmirësojnë, por përkrahin të keqen; kur mediat nuk janë të lira, por të kapura – atëherë në atë shoqëri mbretëron sindroma faraonike. Një shoqërie të tillë i duhet një Musa për t’i çliruar nga prangat faraonike. Musai a.s. u rrit në pallatin e faraonit por më vonë e mundi atë me të Vërtetën!
Musai nuk do të bie nga qielli. Tek çdonjëri nga ne “rritet” ose një faraon ose një Musa. Na takon neve se cili do të dominojë tek ne. Ndërsa veprat tona do ta vërtetojnë atë.
Përktheu:
Arsim Dauti
(Islampress.ch)





















