Sport
Giroud mesazh për Milan dhe Benzema: Gjyshi nuk ka vdekur ende!


Ndonëse Chelsea aktivizoi klauzolën e rinovimit të kontratës edhe për një sezon tjetër me Olivier Giroud, ky i fundit duket i bindur për t’u larguar nga kampion të e Europës, pasi dëshiron një klub që t’i japë më shumë hapësira në fushën e lojës.
Milani është skuadra që po ndjek nga afër situatën me sulmuesin e impenjuar në Europian me Francën, pasi kuqezinjtë janë në kërkim të një alternative për Ibrahimovic, duke qenë se 40-vjeçari suedez nuk mund të përballojë impenjimet e një sezoni të tërë.
Vetë Giroud, nga grumbullimi me kombëtaren franceze, u ka dërguar një mesazh drejtuesve të Milanit, pasi është shprehur se ndihet shumë mirë fizikisht dhe ka ambiciet e një 20-vjeçari, duke e mbyllur me ftesën për t’i besuar më shumë.
“Nuk kam mbaruar, përkundrazi. Jam 35 vjeç, por me ambiciet e një 20-vjeçari. Përqendrohem maksimalisht në fushë, pasi dua të bëj më të mirën, të fitoj dhe asgjë tjetër. Besomëni, gjyshi nuk ka vdekur ende”, u shpreh Giroud.
Përveçse konfirmon formën e tij të mirë për klubet që kanë shfaqur interes për kartonin e tij, duket se Giroud i dërgon edhe një mesazh rivalit të tij në sulmin e Francës, Karim Benzema, me të cilin duket se ka vendosur paqe, pas disa përballjeve në distancë vitet e kaluara (Benzema shprehej se ndihej një Ferrari, por Franca përdorte një makinë kart si Giroud).
“Deklaratat që bënte atëherë më bënin të qesh dhe i marr me sportivitet edhe tani,. Unë di të fal dhe kemi një grup goxha të fortë. Me Karim shkojmë shumë mirë dhe kemi vendosur që të shkojmë të bëjmë një garë me makina kart, nëse fitojmë Europianin. Për momentin trajneri po i jep besim atij, por unë e di se kam cilësi të caktuara, për të cilat herët a vonë Franca do të ketë nevojë”, tha Giroud.





















