Lajme
“Fushata e re e BDI-së, shaka pa kripë dhe ofendim”

Aktivisti qytetar dhe ndoshta personi kryesor për mbylljen e fabrikës Jugohrom që për vite me radhë helmonte qytetarët e Tetovë, Arianit Xhaferi nga Eco Guerilla ka komentuar fushatën e re të BDI-së.
Në një deklaratë për in7, Xhaferi e quan si “shaka pa kripë” promovimin e fushatës “për një të ardhme të gjelbër” nga ana e Ali Ahmetit të BDI-së, pasi sipas tij, pikërisht kjo parti është përgjegjëse që vendi është mbushur me deponi të egra, që janë prerë pyjet e nuk ka mbetur vend të gjelbëruar. Kjo parti sipas Xhaferit është në pushtet përgjatë gjithë ekzistencës së saj, në nivel lokal apo qendror, madje ka drejtuar edhe Ministrinë e Ekologjisë, ndërsa sipas tij, janë shkatërruar malet e lumenjtë për të ndërtuar hidrocentralet e njerëzve të partisë.
“Orientimi i gjelbër që sot promovoi BDI vjen pas 19 viteve ekzistencë të kësaj partie ku pjesën dërmuese ka qenë në pushtet. Gjatë asaj kohe, BDI ka udhëhequr me Mjedisin Jetësor, me çka i gjithë vendi është mbushur me deponi të egra, janë prerë pyjet pa kurfarë kriteri, janë shkatërruar malet e lumenjtë për të ndërtuar hidrocentralet e njerëzve të partisë, ndërmarrjet publike të higjienës janë shkatërruar, janë lënë pa infrastrukturë, janë vjedhur. Nuk ka mbetur një hapësirë e gjelbër nëpër qytete pa u uzurpuar e pa u ndërtuar pallate banimi, pa vendparkime, pa gjelbrim, pa kurfarë kushtesh për banim.
Pasi shkatërruan gjithçka që mundën, tash vendosën të orientohen si të gjelbër. Kjo është një shaka pa kripë dhe një ofendim i rradhës që i bëhet qytetarëve të vendit tonë, sidomos votuesve të kësaj partie. Të presësh që BDI me historiatin e përshkruar më sipër do kujdeset për mjedisin jetësor është sikur t’ja besosh menaxhimin e një çerdheje për fëmijë një pedofili të njohur”, deklaroi për in7, Arianit Xhaferi.


















