Lajme
Digjet deponia e egër në Labunisht, banorët në hall po helmohen nga tymi dhe gazrat

Prej më shumë se 12 orësh në Labunisht të Strugës digjet deponia e egër sipër fshatit. Banorët janë në hall, po helmohen nga tymi dhe gazrat që lëshohen prej zjarrit, ndërsa askush nga autoritetet nuk ka dalur në vendngjarje, shkruan in7.
Sipas portalit lokal VOX Struga, zjarri ka filluar prej orëve të drekës, ndërsa sipas disa dëshmitarëve shenja zjarri e tymi ka pasur edhe ditën e djeshme. Deponia e egër në Labunisht po rritet për çdo ditë dhe paraqet problem të kahmotshëm për banorët e këtij rajoni, që përfshin fshatrat Labunisht, Borovec, Oktis dhe Podgorcë.
Këshilltari i Aleancës për Shqiptarët në Strugë, Jasmin Qazimoski që vjen nga Labunishti, para disa minutash ishte në vendngjarje dhe përmes një video lidhje tregoi se askush nuk gjendej atje. As zjarrfikës e as nga Ndërmarrja Publike Higjiena. Sipas Qazimoskit, këtë deponi banorët e Labunishtit e kanë nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, Ramiz Merko.
Kjo ngajrje ndodh një ditë pas vizitës së zëvendëskryeministrit Artan Grubi në Strugë, i cili bashkë me kreun e komunës u zotuan për Platformën e Gjelbër dhe efektet e saj në Strugë./in7.tv/



















