Sport
Ceferin vazhdon të kërcënojë: Ku do të luajnë, në Superligë apo Champions?


Aleksander Ceferin ka sulmuar ashpër tri klubet e mëdha që ende nuk kanë hequr dorë nga projekti i Superligës. Në një intervistë për “The Daily Telegraph”, kreu i UEFA-s, u dha një mesazh të qartë Realit, Barcelonës dhe Juventusit:
“Kush ka minimumin e arsyes nuk do t’i shkojë në mendje të krijojë Superligën. Kam jetuar 48 orë stresuese, por më mirë që ndodhi kështu. Shumica e njerëzve injorantë në botë e kuptojnë që Superliga ka mbaruar dhe ishte një nga gjërat më të çuditshme që kam parë. Ata dolën me një njoftim për shtyp duke thënë “Superliga ende ekziston” dhe pastaj dy ditë më vonë ata aplikuan për të luajtur në Champions League. Pra, ku duan të luajnë?”
Ceferin nuk u ndal këtu dhe akuzoi të mbijetuarit e Superligës se kanë kërcënuar UEFA-n dhe nëntë klubet e tjera që kanë braktisur projektin (Chelsea, United, City, Tottenham, Arsenal, Liverpool, Atlético, Inter dhe Milan): “Tani ata kërcënojnë me letra duke na paralajmëruar që do të na denoncojnë … Në të vërtetë duhet të kenë shumë para për ta bërë … Nëse do të ishte kështu, duhet t’i investojnë në futbollin e femrave dhe të rinjve. Mendoj se po kërcënojnë nëntë klubet e tjera, pasi thanë që futbolli do të vdiste pa Superligën. Sa i çmendur! Unë marr letra kërcënuese, nuk i kam lexuar po m’i ka sqaruar zyra ligjore. Flas me 244 klube të ECA-s, jo vetëm me më të njohurit në botë. Ata persekutojnë të gjithë të tjerët, duke kërcënuar dhe përsëritur këndvështrimin e tyre: “Le të bëjmë bamirësi për të gjithë”. Por kush dëshiron bamirësi?”
Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian ka pranuar këtë të hënë çështjen e ngritur nga Gjykata Tregtare e Madridit, e cila mori një vendim paraprak, duke kërkuar që ajo të vendosë nëse UEFA ka një pozitë dominuese dhe abuzive dhe nëse dënimet e shpallura kundër klubeve themeluese të Superligës kërcënojnë tregun e lirë në territorin e BE-së.






















