Connect with us

Religjion

Allahu e urdhëron drejtësinë | Islam Press

Publikuar

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të të gjitha botëve. Dërgojmë salavat dhe selam mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, Muhamedin (savs), mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që kanë jetuar dhe kanë vdekur me besim në zemër.

Vëllezër të respektuar!

Tema e hutbes së sotme do të jetë: “Allahu e urdhëron drejtësinë”

Në ajetin e Kuranit, shumë të njohur për juve, të cilin imamët e lexojnë çdo javë në fund të hutbes së xhumasë, Allahu i Lartësuar thotë:

إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ وَالْإِحْسَانِ وَإِيتَاءِ ذِي الْقُرْبَىٰ وَيَنْهَىٰ عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنكَرِ وَالْبَغْيِ 
يَعِظُكُمْ لَعَلَّكُمْ تَذَكَّرُونَ ﴿٩٠﴾

„Allahu, me të vërtetë, urdhëron që të veprohet me drejtësi, me mirësi dhe t’u ndihmohet të afërmve, kurse e ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon që të pranoni këshillat.“ (en-Nahl, 90)

Gjëja e parë, të cilën Allahu i Madhërishëm e urdhëron në ajetin e mësipërm, është drejtësia. Pavarësisht nëse ajo ju referohet muslimanëve apo jomuslimanëve, dhe pavarësisht se në favor të kujt ose në dëm të kujt është. Në këtë drejtim, në hutben e sotme, unë do të doja të ndaja me juve rastin e dy të rinjve nga fisi Kurejsh, të cilët kanë luajtur role të rëndësishme në historinë e Islamit. Këta janë Omer ibn el-Hattabi (r.a.), dhe Halid ibn Velidi (r.a.), të cilët edhe në kohën e xhahilijetit ishin miq të mirë, dhe udhëtonin së bashku dhe bënin tregti.

Në një rast ata udhëtuan për në Sham (Siri), duke marrë me vete mëndafsh arab dhe stoli (ari) të famshme arabe, të cilat kishin çmim të lartë. Në treg ata e ngritën një çadër dhe i ekspozuan mallrat e tyre. Pas disa ditësh tregtie të suksesshme, në çadrën e tyre hyri një djalë i ri, i rrethuar me roje dhe filloi t’i shikonte stolitë. Së shpejti, vëmendjen e tij e tërhoqi një gjerdan i shtrenjtë me xhevahire. Meqenëse nuk kishte me vete para të mjaftueshme, ai u kërkoi atyre t’ia jepnin gjerdanin, duke ju premtuar se paratë do t’ua sillte nesër. Ata ranë dakord, duke pritur me padurim që nesër t’i marrin paratë dhe të kthehen përsëri në Mekë.

Mirëpo, djali i ri nuk erdhi nesër. Madje kaluan disa ditë dhe ata nuk dëgjuan asgjë për të. Më në fund, ata vendosën të pyesnin për të dhe ta paraqitnin rastin tek autoritetet. Kur morën vesh se i riu ishte djali i mbretit, Halidi donte të hiqte dorë nga kërkesa. Mirëpo, Omeri nuk ra dakord me këtë. Ai donte të kërkonte drejtësi. Dhe kështu ata shkuan te mbreti dhe i treguan se çfarë kishte ndodhur.

Mbreti i priti ata si musafirë, dhe më pas ju sugjeroi që ta bënin një vizitë të vogël në oborr derisa t’ua zgjidhte çështjen. Ata shkuan në një shëtitje veç e veç. Dhe derisa ata po admiroheshin nga dhomat plot thesare, në njërën prej tyre ata mbetën të shtangur. Njëri e pa kokën e prerë të princit, ndërsa tjetri e pa trupin e tij të kryqëzuar! Kur dolën, ata vetëm e shikuan panë njëri-tjetrin shkurtimisht dhe i thanë njëri-tjetrit: „Elem tere?“ (A nuk e pe?) Mbreti i pagoi shumëfish për gjerdanin, dhe ata u kthyen në Mekë sa më shpejt që ishte e mundur, duke u marrë vesh, që për këtë ngjarje të mos i tregonin askujt.

Kishte kaluar shumë kohë nga ajo ngjarje. Omeri u bë halif, kurse Halidi u bë komandant i madh ushtarak dhe guvernator i një qyteti. Halidi e donte luksin, kështu që, në qytetin e tij ai ndërtoi shumë ndërtesa sipas modelit të qyteteve persiane. Për vete e ndërtoi një pallat, në të cilin punësoi një numër të madh njerëzish, kështu që ishte e vështirë për të arritur tek ai. Nevojiteshin disa javë, që dikush të pranohej në rezidencën e tij.

Më në fund, ai dëshironte të ndërtonte edhe një xhami. Për ndërtimin e saj, ai e zgjodhi një vend buzë lumit, ku ndodhej shtëpia e një Kopti, i cili për asnjë çmim nuk pranonte ta shiste shtëpinë e tij. Halidi shumë ishte zemëruar për këtë, kështu që e shëmbi shtëpinë e Koptit dhe filloi ndërtimin e xhamisë. Përplot dëshpërim, Kopti filloi të pyeste, nëse kishte dikush që ishte mbi guvernatorin në pushtet. Ata i thanë se në Medine është halifi, i cili ishte është mbi guvernatorin dhe se mund të ankohej tek ai. Kopti menjëherë u nis për në Medinë, me pak shpresë se mund ta zgjidhte problemin e tij.

Kur hyri në Medinë, ai u çudit, sepse në të ai nuk e vuri re atë shkëlqim që zbukuronte qytetin e tij. Ai pyeti disa njerëz në xhami, se ku mund ta gjente halifin, dhe ata i treguan për një shtëpi modeste, para së cilës, në kopsht Omeri po shkelte baltën dhe po bënte qypa. Kopti i gjorë mendoi se njerëzit po talleshin me të. Megjithatë, më në fund, Kopti iu afrua Omerit dhe ia shpjegoi rastin e tij. Halifi e dëgjoi mirë atë, pastaj e mori në dorë një qyp ende të pa tharë, dhe shkruajti diçka mbi të. Ai më pas i tha Koptit, që ta merrte qypin dhe t’ia tregonte guvernatorit dhe se problemi i tij do të zgjidhej.

I pa bindur dhe në mosbesim, Kopti e mori qypin dhe u kthye në Sham. Kur mbërriti atje, u lajmërua te guvernatorit, i cili, pas disa refuzimesh, më në fund e pranoi. Kur u paraqit para tij, Kopti duke belbëzuar, i tha se kishte qenë te halifi, i cili i kishte thënë që t’ia dorëzonte qypin guvernatorit. Duke e shikuar qypin, Halidi vuri re fjalët: „Elem tere?“ (A nuk e pe?) Kur e pa këtë, Halidi u zverdh dhe i thirri njerëzit e tij, të cilët i urdhëroi që ta shembnin xhaminë dhe ta rindërtonin shtëpinë e Koptit. Tërësisht i hutuar, Kopti pyeti se për çfarë po bëhej fjalë, dhe kur Halidi i tregoi për ngjarjen në Sham, Kopti u tha atyre që të vazhdonin ndërtimin e xhamisë dhe deklaroi se ai po e pranon Islamin.

I lutemi Allahut të Drejtë që të na japë drejtësi dhe të na zbukurojë me drejtësi.

I lutemi Allahut të Plotfuqishmin, që nga këshillat e hutbes të kemi përfitim dhe të na ruajë nga zjarri i xhehenemit.

O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë dhe mposhtin pabesimtarët.

O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin! 

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK