Connect with us

Religjion

A duhet anashkaluar të mirat e kësaj bote për të fituar Ahiretin?!

Published

on

Shpesh herë në shoqërinë tonë, por edhe në shoqëritë e ndryshme të botës janë dëgjuar zëra dhe  dëgjohen edhe sot,  se prej kushteve që të fitojmë jetën e Ahiretit, ne duhet ta anashkalojmë këtë jetë të dynjasë (mirësitë e saj) , gjë që realisht nuk është nga mësimet e Zotit dhe të Pejgamberit Muhamed a.s.

Një koncept i tillë,  jo që nuk është nga mësimet e Islamit, por edhe bie ndesh me mësimet e Islamit. Shëmbëlltyra më e mirë të cilin Allahu na porositi ta ndjekim është i Dërguari i Tij, Muhamedi a.s. Nëse shikojmë jetën e tij, do të kuptojmë se ai ishte i përkushtuar në adhurimin ndaj Zotit,  por edhe kënaqej me të mirat e kësaj jete. Ai faleshte, luteshte, agjëronte, por edhe ushqeheshte, shoqërohej me të tjerët, bënte shaka, qeshte, merrej me tregti dhe kalonte kohë me bashkëshortet e tij. Është një e vërtetë e madhe se nëse krahasojmë të mirat e kësaj jete me të mirat e jetës tjetër, janë shumë më pak me vlerë, por kjo nuk d.m. th. që ne duhet t’i anashkalojmë dhe mos t’i shfrytëzojmë. Nëse një tezë e tillë do të ishte nga mësimet e Islamit atëherë sit a kuptojmë ajetin Kur’anor të cilin e lexojmë çdo namaz: “Zoti ynë! Na jep të mira në këtë jetë por të mira edhe në jetën tjetër dhe na ruaj prej dënimit të zjarrit”– Al Imran, 201.

Në këtë drejtim flasin edhe porosit e të dërguarit të Zotit Muhamedit a.s. i cili thotë: “Kjo botë është ara (vendmbjellja) e botës tjetër”.

Gjithashtu nëse shikojmë ata të cilët kuptuan më së miri nga mësimet e Pejgamberit a.s. do të shohim se ata mundoheshin ta përvetësojnë edhe këtë botë por edhe botën tjetër. Në njërën nga thëniet e tij Omeri r.a. thotë: “Mos e braktis këtë botë për shkak të Botës tjetë, as Botën tjetër  për shkak të kësaj bote, por përpiqu t’i përvetësosh të dyja botët”.

Shpesh kur dëshirojmë ta arsyetojmë veten për dështimin që kemi, themi se duhet anashkaluar këtë jetë për të fituar Botën tjetër. Po, vallë, çfarë do të humbnim neve nga Ahireti nëse njerëzimit  do t’i  siguronim jetën, do ti  siguronim barërat dhe ilaçet, do ti  siguronim veshjet dhe do të ishim munduar të kemi sa më shumë fabrika prodhuese. Një koncept i këtillë, se  duhet anashkaluar këtë jetë,  ka bërë që ne çdo  gjë presim të gatshme,  tjerët të na e prodhojnë. Por, në fakt, nëse ne botës do t’ia siguronim gjërat e nevojshme për jetesë më të mirë, me siguri se do të ishim një hap edhe më afër mirësive të botës tjetër, ashtu sikur tha Pejgamberi Muhamed a.s. se “Më i miri nga ju është ai që është më i dobishëm për të tjerët”.

Shkruan: Musa Biba

(Islampress)

Click Here To Join Native Media

Portali Zyrtare u themelua nga një grup gazetarësh të rinjë në vitin 2018. Të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe të vërteta, në Maqedoni, ndër shqiptarë dhe për shqiptarët – Zyrtare nuk ishte veçse një kërkesë e kohës. Kontakt e-mail: [email protected]

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com