Lajme
Zbulohet laboratori i drogës në Lushnje me alumin e llamba në mure, tre të arrestuar

Pas zbulimit të ambientit të përshtatur si laborator brenda një ndërtese në fshatin Krutje në Lushnje që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike nëpërmjet ngrohjes me llamba, policia ka arrestuar 3 persona.
Një në vendngjarje dhe dy punonjës të kompanisë OSHEE janë arrestuar, ndërsa fidanë kanabisi dhe pajisje të ndryshme elektrike janë sekuestruar.
Top Channel një ditë më parë siguroi foto të vendit, i cili i ngjante laboratorëve të famshëm të kanabisit në Angli.
Një prej autorëve është arrestuar në vendngjarje, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i ndërtesës i cili është organizatori si edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë.
I arrestuari është M. Ç., 40 vjeç, banues në Lushnje, ndërsa po punohet për kapjen e E. R., 45 vjeç, banues në Tiranë, L. S., 54 vjeç dhe I. B., 27 vjeç, banues në Fier.
Ndërsa dy punonjësit e OSHEE-së, M. Z., 64 vjeç, banues në fshatin Ardenicë dhe V. L., 23 vjeç, banues në fshatin Gorre do të gjykohen për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi nuk kanë përmbushur detyrën, duke mos kontrolluar linjën elektrike, si dhe matësin e energjisë elektrike.
Veç kanabisit dhe mjeteve të tjera, në banesë u gjetën dhe u sekuestruan disa fishekë luftarakë. Sipas policisë, materialet për veprime të mëtejshme do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Shpërdorim detyre”, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
.






















