Connect with us

Kosovë

Vizita dyditore e Kryeministrit Kurti në Bruksel: Kërkohet harmonizim i interesave mes Kosovës e bashkësisë ndërkombëtare

Published

on

Mbi të gjitha, udhëheqësit e Kosovës duhet të dinë që në këtë proces t’i harmonizojnë interesat e Kosovës me ato të bashkësisë ndërkombëtare, do të thotë të BE-së dhe të SHBA-së”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel e ka bërë vizitën e tij të parë, prej kur është në krye të ekzekutivit të shtetit në këtë mandat të ri qeverisës.

Gjatë qëndrimit dyditor atje, Kurti është takuar me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, ku është diskutuar për çështje të ndryshme në interes të Kosovës, duke e përfshirë integrimin evropian, NATO-n, dialogun Kosovë-Serbi, ekonominë, energjinë, bujqësinë, zhvillimin rural dhe financat.

Megjithatë kjo paraqitje e tij para BE-së, nuk u prit mirë nga opozita parlamentare, e cila ndaj tij shfaqi kritika.

Por, ndryshe nga ta mendon ish-këshilltari i tij politik, Shkëlzen Gashi, i cili e ka quajtur jashtëzakonisht pozitive këtë vizitë të Albin Kurtit në Bruksel. Ai për klankosova.tv ka deklaruar se qëndrimet e kryeministrit ishin parimore, të sakta dhe të drejta.

”Për ç’gjë nuk kam pasur asnjëherë asnjë dyshim”, shprehet ai mes tjerash.

Për fat të mirë, më në fund Kosova nuk po përfaqësohet nga politikanë të korruptuar, të shantazhuar e të padijshëm. Shpresoj që udhëheqësit e Kosovës do të dinë që të gjejnë zgjidhje kreative për t’i akomoduar interesat e komunitetit serb në Kosovë, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe pa e cenuar ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në Kosovë”.

Mbi të gjitha, udhëheqësit e Kosovës duhet të dinë që në këtë proces t’i harmonizojnë interesat e Kosovës me ato të bashkësisë ndërkombëtare, do të thotë të BE-së dhe të ShBA-së”.

Sipas Shkelzen Gashit, refuzimi i Albin Kurtit për të marrë pjesë në takimin e 11 majit që do të mbahet mes Aleksandar Vuçiq dhe Josep Borrell, përfaqësues i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian – është restaurim i dinjitetit të Kosovës.

Dakordimi i përfaqësuesve të BE-së me udhëheqësit e Serbisë që më 11 maj 2021 të ketë një takim mes Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Kryeministrit Albin Kurti, pa u dakorduar me këtë të fundit, është mjaft indikativ. Kjo tregon se përfaqësuesit e BE-së për takimet e deritanishme në mes të udhëheqësve politikë të Kosovës dhe atyre të Serbisë, janë dakorduar vetëm me udhëheqësit e Serbisë, kurse udhëheqësit e Kosovës vetëm i kanë njoftuar. Prandaj, refuzimi i Kryeministrit Kurtit për të marrë pjesë në takim me Presidentin Vuçiq, të paraparë për 11 maj 2021, është restaurim i dinjitetit të Kosovës”.

Deri në qershor është kohë e mjaftueshme që Qeveria e Kosovës të përgatitet për dialogun me Serbinë, duke i listuar të gjitha çështjet/problemet që kemi me Serbinë, e që duhet t’i zgjidhim në kuadër të këtij procesi. Po ashtu, Qeveria e Kosovës duhet mendoj se cilat mund të jenë çështjet që mund t’i listojë Serbia për Kosovën dhe çfarë përgjegje duhet të japim për to”, ka thënë Gashi.

Ai është shprehur se në dialogun me Serbinë pos politikës të përfshirë duhet të jenë edhe shoqëria civile.

“Nuk ka asnjë dilemë se në këtë proces, përveç tre liderëve kryesorë politikë të Kosovës – Presidentit, Kryeminstrit dhe Kryeparlamentarit – duhet të përfshihen edhe liderët e partive politike opozitare sepse procesi i normalizimit të raporteve me Serbinë është çështje fort e rëndësishme. Për më shumë, është shumë e rëndësishme që edhe shoqëria civile të përfshihet në këtë proces. Në këtë kuadër, e shoh shumë të rëndësishme që një organizatë joqeveritare kosovare, në bashkëpunim me Ambasadën e Norvegjisë në Kosovë, ka angazhuar disa pjesëtarë të shoqërisë civile që në këtë protesta ndihmojnë Qeverinë e Kosovës përmes propozimeve, sugjerimeve, këshillave e vërejtjeve”.

Ndërsa, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) për klankosova.tv ka pohuar se vizita e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel, mund të shihet nga dy prizme të ndryshme – në atë formal dhe përmbajtësor.

Së pari, në aspektin formal, kjo vizitë shpërfaq faktin që pavarësisht diskursit mbizotërues publik se dialogu nuk është prioritet, i njëjti do të imponohet si temat më qenësore me të cilat duhet të merret spektri politik vendor”.

Ndërsa, në aspektin përmbajtësor, vizita e kryeministrit Kurti dhe dy zëvendëskryeministrave tjerë tregon për nivelin e seriozitetit të cilin Kosova dëshiron ta përçojë në planin e jashtëm, ndërsa paraqitja e tyre besoj që shënon një pikë kthese dhe ndryshim pozitiv në mënyrën se si Kosova është përfaqësuar në planin e jashtëm”.

Cakolli ka theksuar se nuk përbën ndonjë ndryshim substancial si në përgatitjet apo rezultatet eventuale, pjesëmarrja në muajin qershor e delegacionit të Kosovës në takimet për procesin e dialogut.

Kurse, ndrojtja e kryeministrit Kurti për t’u lëshuar në terma e afatizime konkrete për vazhdimin apo përmbylljen e dialogut, flet shumë për një qasje ngurruese të ekzekutivit të ri në raport me procesin e tanishëm, por edhe atë të zhvilluar nga viti 2011 e deri gjatë Qeverisë Hoti”.

Megjithatë, nëse procesi i dialogut shihet në një shtrirje më të gjatë në terma kohor, atëherë unë besoj që një muaj diferencë nuk përbën ndonjë ndryshim substancial si në përgatitjet apo rezultatet eventuale të atij procesi”.

Sa i përket përfshirjes së opozitës, ne në vazhdimësi kemi theksuar nevojën e patejkalueshme për arritjen e një konsensusi mes spektrit tonë politik. E një lloj i tillë i konsensusit duhet të jetë i njëmend, e të arrihet jo vetëm për temat e parimet, por edhe për afatet dhe rezultatet e pritura nga ky proces”.

”Në këtë drejtim, përkundër inateve eventuale nga e kaluara politike e kryeministrit Kurti dhe subjekteve të tanishme opozitare, medoemos duhet të njëjtat të tejkalohen, duke e vendosur Kosovën në plan të parë, me synimin e përmbylljes së procesit të dialogut, që paraqet procesin më të ndjeshëm e të stërmundimshëm për vendin tonë”, ka thënë Cakolli.

Ndryshe Kryeministri Kurti në Bruksel tha se nga muaji qershor ka mundësi që t’i fillojnë bisedimet për dialogun me Serbinë. Ai ka mbajtur edhe një fjalim në Parlamentin Evropian, ku ka folur për liberalizim të vizave, dialogun me Serbinë dhe çështje tjera për Kosovën.

.

NA NDIQ NË FACEBOOK