Connect with us

Sport

Sportingu i Lisbonës, kampion i Portugalisë pas 19 vjetësh “agjërim”

Publikuar

Sportingu i Lisbonës fitoi titullin për herë të parë pas plot 19 vjetësh, duke mbyllur llogaritë e kampionatit në Portugali që dy javë para përfundimit. Titulli i 19-të në historinë e klubit në kampionatin luzitan dhe një trofe plotësisht i merituar. “Luanët” mposhtën Boavistan brenda në “Jose Alvalade”, falë një goli të realizuar 9’ para fundit të pjesës së parë nga Paulinho, sulmuesi 28-vjeçar nga Braga, që së fundi është aktivizuar në tri takime edhe nga trajneri i përfaqësueses Fernando Santos.

66-vjeçari nga Lisbona konsiderohet si një ndër trajnerët më të të zotë në vendin luzitan, por tekniku veteran që udhëhoqi kombëtaren portugeze drejt titullit në Europianit, që u mbajt në Francë 5 vjet më parë, është pjesë e ushtrisë së madhe të trajnerëve, që kanë dështuar që nga viti i largët 2002 në aventurën e tyre për t’iu dhënë “leoes” trofeun më të lakmuar në vend.

Që nga triumfi i vitit të largët 2002, kur ekipi drejtohej nga ish-mesfushori i famshëm rumun, Laszlo Boloni, në radhë janë rreshtuar plot 19 trajnerë të ndryshëm, ku përveç trajnerit aktual të përfaqësueses ia vlen të kujtohen edhe emra të tillë si Jose Peseiro, Paulo Bento, Carlos Carvalhal, Domingos Paciencia, Ricardo Sa Pinto, Franky Vercauteren, Jesualdo Ferreira, Leonardo Jardim, Marco Silva dhe Jorge Jesus. Që nga ajo kohë klubi ishte shpallur 6 herë si nënkampion i vendit, 4 prej tyre madje i takojnë si kohë Paulo Bento-s, që e pozicionoi skuadrën në vendin e dytë, nga 2006 deri në vitin 2009, sidoqoftë njeriu që i ishte afruar më tepër titullit ishte pa dyshim Jorge Jesus, që i ktheu shpinën Benficas, ndonëse kishte fituar 3 tituj në 6 sezone me “shqiponjat”. Pikërisht në sezonin 2015-16, në ditët e para të muajit mars, “luanët” u mundën brenda në stadiumin “Jose Alvalade” nga një gol i sulmuesit grek Konstas Mitroglou dhe pavarësisht 9 fitoreve radhazi në 9 sfidat e mbetura Sportingu humbi titullin, pasi rivalët e tyre të përjetshëm të kryeqytetit nën drejtimin e Rui Vitoria-s e mbyllën sezonin me 12 fitore rresht, duke fituar mbi të gjitha 20 nga 21 takimet e fundit të ligës portugeze.

Këtë herë arkitekti i triumfit të edicionit të 87 në Primera Liga është pa dyshim Ruben Amorim. 36-vjeçari nga Lisbona e mori ekipin nga Silas 13 muaj më parë dhe ishte trajneri i katërt që provonte presidenti i “luanëve” Frederico Varandas gjatë edicionit të kaluar. Ish-mesfushori, i cili në karrierë numëron edhe 14 ndeshje me fanellën e përfaqësueses luzitane, ishte lojtari i besuar i trajnerit Jorge Jesus dhe në fakt Ruben Amorim ka kaluar plot 15 sezone në kampionatin portugez me skuadrat rivale të kryeqytetit Belenenses dhe Benfica.

Ndonëse me një eksperiencë fare të shkurtër te Braga Ruben Amorim ia doli mbanë për ta udhëhequr Sportingun drejt lavdisë, për më tepër duke siguruar titullin e 19-të pa as edhe një humbje. 25 fitore dhe vetëm 7 barazime, por gjithashtu edhe ekipi më i mirë si në ndeshjet në shtëpi ashtu edhe në sfidat jashtë fushe.

Larg stadiumit “Jose Alvalade” “luanët” pësuan vetëm 6 gola gjithsej, ndërkaq mbrojtja e Sportingut është ndëshkuar me 15 gola në total gjatë këtij edicioni të Primeira Ligas, ku golashënuesi më i mirë i kampionatit vjen sërish nga radhët e “leoes”, bëhet fjalë për mesfushorin me tipare sulmuese të përfaqësueses luzitane të “shpresave”, 22-vjeçarin Pedro Goncalves, që ka realizuar 18 gola, pra po aq sa edhe sulmuesi zviceran i “shqiponjave”, Haris Seferovic.

Fitorja minimale ndaj Boavistas zhvlerëson në këtë mënyrë derbin e zjarrtë me Benfican, që do të luhet këtë fundjavë, ndërsa takimi i fundit në “Jose Alvalade”, ndaj Maritimos, do të ketë thjesht vlera statistikore.

Dy javë para fundit, “luanët” kanë 8 pikë më shumë se “dragonjtë” e Portos dhe 12 pikë avantazh kundrejt “aguias”. Në librin e artë të futbollit luzitan kryesojnë pikërisht “shqiponjat” e Benficas me 37 tituj, ndërsa Porto ndjek me 29, sidoqoftë në Portugali janë vetëm 5 klube gjithsej, që kanë prekur titullin dhe përveç treshes së famshme krenohen edhe klube si Belenenses dhe Boavista, që gjithsesi e kanë fituar kampionatin thjesht nga një herë të vetme.